Gazeta Mapo ka zbuluar një email, që Lidershipi i Partisë Demokratike, u ka dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Kryesisë, dhe ish-deputetëve. Bëhet fjalë për një memo, një material për qarkullim të brendshëm, ku jepen porosi lidhur me strategjinë e komunikimit.
Në këtë tekst, flitet për sondazhet, ku PD rezulton në rritje dhe qeveria në rënie, po ashtu, jepen këshilla për qëndrimet politike, dhe çmontohet ajo që e quajnë, propagandë të Edi Ramës. Letra përmend emra gazetarësh, dhe mediash, që sipas PD përdoren nga Rama, dhe po ashtu, ata që cilësohen mercenarë politike. Sipas Memos, mercenarët politikë janë ish-drejtues të lartë të PD, të cilët vihen në shërbim të Ramës, sa herë ai është në vështirësi, duke sulmuar Partinë Demokratike.
Emaili u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese, me 23 gusht, pra përpara se të ndodhnin disa ndryshime dhe mbyllje të emisioneve kritike në News 24, ngjarje të komentuara shumë në publik.