Janë zbuluar mbetje patatesh në bregun e Paqësorit në Kanada, “prova e parë” që popullsitë autoktone të Amerikës së veriut kultivonin zarzavate që para thuajse katër mijëvjeçarësh.

Fusha e patateve, e zbuluar në tokat e lashta të fisit Katzie, që sot njihen si Kolumbia-Britanike, është “prova e parë” e kopshtarisë nga fiset e gjahtarëve të rajonit gjatë kësaj periudhe, sipas një studimi të publikuar në numrin e dhjetorit të revistës Science Advances.

Autorët e këtij studimi, të drejtuar nga Tanja Hoffmann dhe arkeologë të Universitetit Simon Fraser, kanë arritur në përfundimin se popullsitë autoktone të rajonit veri-perëndimor të Paqësorit kishin zhvilluar zonat moçalore për të rritur prodhimin e këtyre bimëve të egra ushqimore.

Fisi lokal me gjasa ka vendosur gurë për të përcaktuar kulturën dhe nxitur rritjen e wapatos, ekuivalentin e patates sot. Hulumtuesit kanë zbuluar gjithashtu 150 pjesë veglash, të ngurtësuara nga zjarr në vendin e gërmimit, që ata mendojnë se janë pjesë hunjsh që përdoren për të punuar tokën.

Ekuivalenti i lashtë i patates, që rritej nga tetori deri në shkurt, ishte për fiset indigjene një burim i rëndësishëm ushqimi gjatë muajve të dimrit. Gërmimet kanë zbuluar 3768 wapatos, të quajtur edhe “patate indiane”.

“Mbetjet që kemi gjetur ishin ngjyrë kafe të errët ose të zezë, dhe ndonëse ka mbijetuar vetëm sipërfaqja e jashtme në pjesën dërrmuese të mostrave, disa përmbanin edhe tul brenda”, përmend studimi.

/Veritas.com.al/