Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 5 ditë para tubimit të thirrur nga Presidenti Meta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i ka dërguar një mesazh të qartë strukturave të Partisë Demokratike.

Basha ka shkruar se e mbështet thirrjen e Presidentit Meta për manifestimin në mbrojtje të Kushtetutës. Në postim ka ‘urdhëruar’ se ky mesazh duhet të shpërndahet tek të gjitha strukturat e PD, dhe se më këtë çështje do të merret vetë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili do të komunikojë me të gjitha strukturat.

Mesa duket, Partia Demokratike do të jetë prezente me mbështetësit e saj në manifestimin e 2 marsit të Presidentit Ilir Meta në Tiranë.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar Kryetarë,

Më poshtë mesazhi i Kryetarit Basha për tubimin e organizuar nga Presidenti i Republikës më datën 2 Mars 2020, ora 17:00, ne Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”:

“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”.

Dy porosi:

  1. Ky mesazh të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë.
  2. Mbi këtë çështje do të keni gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm, për masat organizative.

Ju përshëndes!’

VERITAS.COM.AL