Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Washington disa orë para takimit me presidetin Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij.

Por pak përpara bisedimeve, presidenti Trump ka ushtruar presion mbi Zelenskyn, duke thënë se presidenti ukrainas mund t’i japë fund luftës “pothuajse menjëherë” nëse do të donte. Presidenti amerikan gjithashtu përjashtoi mundësinë që Ukraina të bashkohet me NATO-n ose të rimarrë Krimenë e pushtuar nga Rusia si pjesë e negociatave me Moskën.

Trump i postoi këto komente në platformën e tij Truth Social mbrëmjen e së dielës, disa orë përpara se të takohej me udhëheqës evropianë, përfshirë Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Zelensky në Zyrën Ovale, në një përpjekje për të kundërshtuar planin e mbështetur nga SHBA-ja, për ta parë Ukrainën të heqë dorë nga territori.

“Presidenti Zelensky i Ukrainës mund ta përfundojë luftën me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë. Nuk ka kthim mbrapsht të Obamës nëse Krimea është dhënë (12 vjet më parë, pa u qëlluar asnjë e shtënë!), dhe asnjë hyrje e Ukrainës në NATO. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!!!”, shkroi Trump.

Në takimin që do të mbahet këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë, përveç Presidentit të Ukrainës, Trump do të mirëpresë një numër udhëheqësish të tjerë evropianë, sikurse Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmerl Presidentin francez Emmanuel Macron; Kancelarin gjerman Friedrich Merz; Kryeministren italiane Giorgia Meloni; Presidentin finlandez Alexander Stubb; Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte; dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Bisedimet e sotme, vijnë pas takimit që Trump zhvilloi në Alaska me Presidentin rus Vladimir Putin, ku ky i fundit parashtroi një sërë kërkesash, mes të cilave të paktën njohjen formale të sovranitetit rus mbi Krimenë, të cilën Moska e sekuestroi nga Ukraina në vitin 2014 dhe heqjen e të paktën disa prej sanksioneve ndaj Rusisë, pa specifikuar nga SHBA apo Evropa.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *