Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se, procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar, për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë.
Procesi merr 60 ditë, teksa Qeveria ka garantuar buxhet të plotë, duke llogaritur 100 mijë votues emigrantë, por është shprehur e gatshme ta mbulojë postën e dërgim-kthimit edhe nëse do të jenë më shumë votues në Diasporë.
Ai shtoi se janë një milionë e ca votues jashtë Shqipërisë dhe ka shumë pa dokumente të vlefshme, ndaj duhet bërë përjashtim për ta, që të shtyhet afati i dokumenteve të pavlefshme me rastin e zgjedhjeve. Celibashi u shpreh pro shtyrjes së afatit për dokumentet e emigrantëve, por jo për ata në Shqipëri.
“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.
Pyetja kryesore e ligjvënësve të Nënkomisionit ishte nëse KQZ e garantonte këtë proces dhe afatet që kërkoheshin për realizimin e tij apo nëse mund të finalizohej para datës 11 Maj, kur edhe votohet.
Komente