Nga Florian Reynaud/
Shtypi amerikan ka kritikuar kandidatin republikan për mungesë përgatitjeje përballë rivales së tij demokrate gjatë debatit të parë televiziv
“Një luftë fjalësh” për Seattle Times, “nëntëdhjetë minuta pa tabu” për Tampa Bay Times, një “debat i hidhët” që është “kondensimi” i një “fushate të pistë”, për New York Times… Disa orë pas përfundimit të debatit të parë televiziv që vuri ballë për ballë Donald Trump dhe Hillary Clinton, mediat amerikane në unison e përshkruajnë, të martën 27 shtator, përballjen midis dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë si agresive. Editorialistët janë thuajse unanim dhe pohojnë se kandidatja demokrate është fituesja e madhe e debatit.
Shumë i ashpër me Donald Trump, New York Times, që ka shpallur para pak kohësh zyrtarisht mbështetjen për Hillary Clinton, ka vlerësuar se kandidati republikan, që ka “gënjyer vazhdimisht qëkurse hyri në garë”, u zu përsëri “me dorën në thes të hënën në mbrëmje”.
“Kishte një asimetri thelbësore gjatë debatit, për shkak të një të vërtete të frikëshme: Një nga pjesëmarrësit nuk kishte asgjë të ndershme për të propozuar”.
“Trump duhej të ishte përgatitur më mirë”
I njëjti avaz nga ana e Washington Post, sipas të cilit “debati i parë u ka provuar sërish të gjithëve se një prej kandidatëve është i aftë për t’u bërë president ”. Media të shumta kanë nënshkruar editoriale të ngjashme, ku gjykohet se kandidati republikan nuk duhej të zgjidhej president i Shteteve të Bashkuara. “Që nga minuata e parë, debati na ka kujtuar se nuk duhet t’ia besojmë presidencën Donald Trumpit”, pohon Boston Globe.
“Ndoshta Donald Trump duhej të ishte përgatitur më shumë”, vlerëson edhe një kroniste e kanalit konservator, Fox News. “Trump mund t’i kishte fituar zgjedhjet sonte. Nuk e bëri. Ishte një oportunitet i madh i humbur”, gjykon site-i ultrakonservator Breitb, i cili saktëson megjithatë: “Por ai as nuk ka humbur, gara është gjithmonë e ngushtë ”.
Pikërisht në pyetjet për rendin ekonomik e fitoi debatin Hillary Clinton, shkruan Politico. Sipas site-it, Donald Trump nuk u është përgjigjur në mënyrë efikase – madje hiç fare – stërkëmbëshave të kundërshtares së tij, konkretisht për gjendjen e ekonomisë kombëtare përpara rikthimit të demokratëve në pushtet para tetë vjetëve, por edhe për deklaratat kundërshtuese në kohën e krizës financiare të sektorit imobiliar.
Revista Foreign Policy, e specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, e ka analizuar debatin nga këndvështrimi i antiterrorizmit, çeshtjeve ushtarake dhe sigurisë së brendëshme. Përpara amerikanëve, “Trump u kap pas pyetjes ‘Me kë ndjeheni ju i sigurtë? Dhe Clinton pas ‘Si t’ju sigurojmë?”, përmbledh revista.
Lester Holt “mbi një ishull”
Sjellja e moderatorit, Lester Holt, ka qenë gjithaq e debatueshme në median amerikane.
Për Washington Post, animatori i NBC-së qëndroi “pasiv” dhe i tërhequr gjatë debatit. E përditëshmja nënvizon gjithashtu se ai nuk ka bërë pyetje për disa çeshtje si kontrolli i armëve apo emërimet në Gjykatën e lartë. E njëjta analizë edhe nga ana e Politico: “Lester Holt ishte mbi një ishull këtë të hënë mbrëma. Dhe për pjesën dërrmuese të debatit të parë për presidencialet, ai qëndroi, duke ua lënë rraketat kryqëzorëve të Hillary Clinton dhe Donald Trump.”
Site-i i famshëm pro-Trump, Breitbart, e akuzoi, përkundrazi, për qëndrim parcial duke favorizuar Hillary Clinton. Për këtë site ultrakonservator, drejtuesi i NBC-së e shtroi rrugën për sulmet e zakonshme të drejtuara nga kandidatja demokrate kundër Donald Trump. Mendim i ndarë edhe nga një kronist i New York Post, i cili vlerëson se moderatori ishte “shumë i sjellshëm” me Clinton.
Nëse shtypi vlerëson se demokratja e dominoi debatin, a do të fitojë ajo me këtë pikë në orientimin e votës? Sipas sondazheve të para dhe “fokus-grupeve” të mbledhura nga site-i amerikan Vox.com, Hillary Clinton ka dalë fituese. Në të kundërt, Huffington Post¸bën thirrje për kujdes dhe rekomandon të priten rezultatet e sondazheve në rang kombëtar për të nxjerrë konkluzione politike nga ky duel televiziv.
(Titulli, nga Veritas.com.al)