Gjykata Kushtetuese përmes një seance që zgjati mbi 9 orë dëgjoi pretendimet e palëve pro dhe kundër shpalljes së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 si antikushtetuese.

 Shtatë anëtarët e kësaj Gjykate vendosën t’i drejtohen Komisionit të Venecias për të kërkuar opinion për këtë çështje dhe vendosën të pezullojë shqyrtimin kushtetues të padisë së Shoqatës së Bashkive që drejtohet nga Voltana Ademi.

Avokati i shoqatës së bashkive Jordan Daci i tha gjykatës se Kërkuesi, shoqata e Bashkive është një organ legjimit dhe preket sa herë ka zgjedhje të lira ose problematike. Sipas tij Bindja Demokratike që mori pjesë në zgjedhje nuk ekzistonte juridikisht pra nuk ishte parti dhe në zgjedhje mori pjesë si parti.

Elira Kokona përfaqësuese e Këshillit të Ministrave i deklaroi gjykatës kushtetuese se “Ky proces ka të bejë me votuesit, për aq kohë sa kërkuesi nuk është as votues e as subjekt politik jemi në devijim total të aspekteve proceduriale të një shqyrtimi kushtetues”.

Bledar Dërvishaj përfaqësues i presidencës mbajti qëndrimin se “Duke anashkaluar dekretet e presidentit u vijua me një proces që nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë”.

Por Mimoza Arbi, përfaqësuese e kuvendit, i tha gjykatës se Presidenti ka kompetence vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve dhe se Dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve i mungon baza ligjore.

Sipas avokates të popullit Erinda Ballanca Zgjedhjet nuk i shërbyen interes të qytetarave.  Shpesh here theksoi ajo, funksionaliteti i sistemit kushtetues është kthyer në një sistem formal që nuk garanton qëllimet për të cilin është ngritur.

VERITAS.COM.AL