Ditën e sotme në Himarë po mbahen zgjedhjet për kryebashkiakun e ri, ku në garë janë kandidatët Vangjel Tavo i PS dhe Petro Gjikuria i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’.
Në disa qendra votimi u pezullua votimi për disa minuta pasi ka votues të cilët janë me kartë të skaduar. Mësohet se 100 persona janë paraqitur deri në orën 09:00 në qendrat e votimit me karta të skaduara.
Një qytetare e cila nuk flet mirë shqip, për mikrofonin e Report Tv pranon se ka humbur kartën e identitetit por se kjo nuk duhet ta ndalojë ti heqë të drejtën e votës.
“Më kishte skaduar karta. E drejta e votës nuk humbet. Kryetari nuk më la të votoj. Po sikur ta humbas sot kartën nuk do votoj”, thotë votuesja.
“Ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë me kartë, por ligji nuk e lejon. Për momentin është pezulluar votimi.
Ligji e thotë qartë nuk lejohet të votohet me karta të skaduara dhe pasaporta nuk duhet të jetë e skaduar”, ka thënë Arqile Bollano i PS-se, kryetari i qendrës së votimit Kuç për Report Tv.
Pas disa minutave pezullim procesi ka rinisur normalisht por ata që kanë qenë me karta identiteti të skaduara nuk janë lejuar.