Teksa Partia Socialiste zbuloi kandidaturën e saj për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, ndryshe ndodh tek opozita.
Partia Demokratike ende nuk ka një emër konkret se kush do të jetë kundërshtari përballë Vangjel Tavos për Himarën pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit.
“Zëra ka se mund të jetë edhe djali i Fredi Belerit, Petro Beleri, një nga emrat e mundshëm që mund të jetë rivali i Vangjel Tavos në zgjedhjet e 4 Gushtit. Deri në këto momente nuk ka asgjë konkrete nga PD”, raportoi gazetari Enkel Xhangoli.
Duket se PD do e lerë në dorë të aleatëve për të zgjedhur emrin e kandidatit, konkretisht të Vangjel Dules, kryetarit të PBDNJ. Ai do të propozojë emrin dhe PD do i bashkohet për ta mbështetur në fushatë.
Zgjedhjet në Himarë do të zhvillohen më 4 Gusht. Dekretimi i kësaj date nga Presidenti Bajram Begaj u mor pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Fredi Belerit.
Organi i zgjedhjeve në vendin tonë argumentoi se Beleri është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim për shit/blerje votash.