HIMARË- Pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 11:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 17.36 %.
Qytetarët e Himarës do të zgjedhin këtë të diel kryetarin e ri të Bashkisë, i cili do t’i drejtojë për tre vitet e ardhshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit dhe deri tani nuk raportohen problematika.
Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar, Petro Gjikuria.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas afatit ligjor. Sipas të dhënave, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Himarë është 23.074./