Frrok Çupi

Na mbyllën- më në fund, si delen e zezë. Pak më parë na akuzuan, përmes një prokurori, si ‘gjaku i prishur në Ballkan’ apo lloji njerëzor që edhe kur mbrohet bën faj. Nuk i dihet se ku do të ndalen: A në prishje të dy shteteve shqiptare?, a në vetëgjyqësi?, a në spiunim të njëri tjetrit mes nesh?, a në gjakmarrjen mesjetare?.

Ne sapo ishim zgjedhur si më të mirët e Evropës, edhe në luftën e Kosovës u zgjodhëm si rracë në ruajtje, bombarduesit mbi Serbi u nisën nga një aeroport i Evropës.

Po ça ndodhi kështu?

Evropa nuk mundi t’i fshihej më At Gjergj Fishtës, kaq e thjeshtë: Evropa u kthye të Fisha që psherëtinte “Uh! Evropë, ti kurva e motit/, Qi i rae mohit besës e Zotit/ Po a ky â shêji i gjytetnís?!…’

Më bëhet sikur gjithë rimelin e fytyrës pro- shqiptare e pro- Ballkan, Evropa e kishte vënë për të mos u dukur siç e kishte zbuluar Ati shqiptar.  Por aq zgjati.

Tani do të vihemi në bankën e shkollës për të rishkruar historinë:

Tani të gjithë quhemi të pashkollë, thuajse si shumica absolute e shqiptarëve në Mesjetë. Do të mësojmë të rishkruajmë vetëm historinë tonë, jo historinë e të tjerëve, as aritmetikë. Mëkati i madh i padronit është kur e vë skllavin në bankë a në gjunjë, që të nënshkruajë dënimin e vet. Me luftën frontale që nisi Tribunali i Evropës kundër shtetit më të ri të botës, Kosovë, ka për qëllim që ta gjykojë çështjen ‘në themel’. Atëherë do të vihen në bankë disa pyetje, ku shqiptarët do të përgjigjen si herët në atë kohë, në Mesjetë:

-A je vendas apo i ardhur në këtë tokë?

-A mendon se lirinë mund ta fitosh vetë apo ta japin të tjerët? Nëse do ta fitosh vetë, atëherë je kriminel- shkruaje këtë.

-Luftëtarët e lirisë- që po i quan ti- a janë hajdutë, banditë, apo vrasës?

-A jeni më shumë të lidhur me Evropën, apo me Amerikën? – -Çfarë e keni Gjergj Kastriotin- Skënderbe, e keni komshi, e keni tradhtar, apo e keni bedel?…

Tani, pas kësaj që ndodhi me Tribunalin e Hagës bash në kapërcell të çështjes së qytetërimit në Ballkan, bash tash duhet me rishkrue historinë tonë. Ata e dinë se në fletët e ‘provimit’ disa do t’i manipulojnë, por disa edhe janë mes nesh që e quajnë Skënderbeun bandit a komshi, disa prej nesh e quajtën Nënë Terezën trafikante e mafioze, disa e quajtën Kadarenë ‘kopjac’, disa janë që i quajnë heronjtë e UÇK si vrasës që nuk i mbante shtëpia brenda, disa që janë kthyer kundër Amerikës… Atëherë, prej kësaj marrin shkak që të na bëjnë provimin e rishkrimit.

Hapet tregu i spiunëve:

Evropianët, sidomos persekutorët ( siç quhen prokurorët në gjuhët europiane) e dinë mirë se si mbillet konflikti dhe përçarja mes një grupimi njerëzish, sidomos mes njerëzve të një gjaku- siç janë shqiptarët në Ballkan: Hap një thes me minj të injektuar me sëmundje dhe do të shkatërrojnë gjithë kombin- si te Kështjella e Kadaresë. Klima e keqe e spiunllëkut është forcuar më tepër në këtë komb të dominuar sa nga represioni i të huajit aq edhe nga komunizmi i tmerrshëm i vetvetes. Me rastin e ‘vrasjes së qindrave’ prej heronjve të Ushtrisë Çlirimtare, të shpallur nga Evropa, këtu do të nisë lëvizja ekstraverse ‘kush spiunon cilin’. Kush ka një inat të vjetër- ai do të të kallëzojë si vrasës. Kush të ka konkurrent- ai do të të kallëzojë përsëri për vrasje. Kush ka qejf të të shikojë keq- prapë ky do të të spiunojë… Modeli i keq- gjykimit u shfaq nga vetë Evropa: Heronjtë e Kosovës u gjykuan në publik para se të gjykonte gjykata.

Këtu, as në Evropë, nuk janë të gjithë njerëzit ‘shenjtorë’, të mençur e të ndershëm. ‘Perversitetin e kam parë më shumë mes jush’- pat polemizuar Gjergj Fishta me revistat franceze në vitet 30-40. Atëherë, pse të mos ketë edhe mes nesh sot nga ky lloj që të dynden me spiunllëqe kundër të gjithë ‘Thaçëve’, ‘Veselëve’, ‘Haradinajve’….? Aq më tepër që njeriu është i zgjuar dhe e di se duke u kashajisur me të madhin merr nam për vete… Përderisa e kërkon Evropa.

Po Europa ka harruar edhe se ndaj Europës mund të kthehet ‘kallëzimi’ jo i rremë i shegertëve. Europa i dha krahë luftës për çlirim me fjalë të lulëzuara kur e pa që nuk kishte rrugë tjetër. Apo mendon se mund t’i fshihet kësaj edhe tani? Këta që kallëzojnë njëri tjetrin në dobi të Evropës , mund të kallzojnë edhe Evropën në dobi të humanizmit.

Këta mendojnë se do të zgjojnë Gjorgun nga varri:

Gjorgu është personazh i ‘Prillit të Thyer’, djali që kishte zënë pritë për t’i marrë gjakun të vëllait. Pasi vrau hasmin, jeta e tij u rrokullis në greminë. Ngjarja kanunore e Mesjetës ka ndodhur në Veri, në Mirditë- diku afër Kaçanikut, Gjakovës, Pejës e Prekazit… Aty ku sot është vendosur teatri i gjakmarrjes prej Tribunalit të Europës.

Teatri i gjakmarrjes?… Po sigurisht, ky është edhe një nga spektrat ‘diplomatikë’ të sulmit të Evropës kundër heronjve të Kosovës si ‘vrasës të qindrave’. Vetëm Thaçi paska vrarë 100 ( po fiks 100- me këtë del rrena e parë). Veseli ka vrarë qindëshin tjetër. Ramushi- me siguri 200, sepse ai ia kushtoi vetë Luftës gjithë themelet e gjakut. Sipas të dhënave që ka shpikur Tribunali, dhe që po thuhen nën gju, janë edhe 80 personalitete të tjerë të Kosovës që paskan vrarë; dikush 100 e dikush edhe 50 a 20… Të ishte Gjergj Fishta sot nuk do të kishte përdorur fjalë aq të ëmbël sa në vitin 1933 ndaj Evropës…

Evropa, kur dha shifrat e të vrarëve, la edhe litarin jashtë ‘varrit’. Ajo tha se heronjtë kanë vrarë ‘edhe shqiptarë’. Atëherë këtu nis kalvari i gjakderdhjes mes shqiptarëve. ‘Gjorgu’, i Prillit dhe mijëra Gjorgë që kanë humbur vëllezërit në luftën e Kosovës e për të cilët deri më sot është akuzuar Serbia, do të kërkojnë gjakmarrje mes veti. Lugu i hakmarrjes- sipas Europës- kthehet nga Kosova drejt veriut ku ishte, te çdo kosovar kundër çdo kosovari. Thaçi e Haradinaj do të vriten të parët në hakmarrje- sipas projektit të Tribunalit. Pastaj të gjithë. Sipas projektit më të zi: Mes shqiptarësh zgjohet Mesjeta e gjakmarrjes… Kjo është, ata nuk janë budallenj.

VERITAS.COM.AL/