Deri dje, partitë aleate të PD, PAA, PR dhe LSI, kanë kërkuar zgjedhje në 13 tetor ‘sipas dekretit të presidentit’. Kanë kërkuar ‘me këmbë të kalit’, siç thuhet në Shkodër, ‘o zgjedhje sipas dekretit, o s’ka!’. Por papritur sot kanë njoftuar se ‘e lëmë atë punën e zgjedhjeve’ dhe kanë nisur pushimet e gushtit.

Tre partitë opozitare, LSI, PAA dhe Partia Republikane, nuk do të regjistrohen për zgjedhjet e 13 Tetorit, të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta.

Partitë aleatë të PD kanë marrë vendimin, siç deklarojnë,  pasi kërkesa e tyre drejtuar KQZ-së për nisjen e procedurave për zgjedhjet e 13 tetorit nuk është shqyrtuar nga Komisioni.

Katër anëtarët e PS-së në KQZ kanë nisur pushimet, ndërsa kreu i Komisionit, Klement Zguri, e ka të pamundur të thërrasë mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit.

Afati i fundit për regjistrimin e partive për zgjedhjet në 13 tetor përfundoi në 4 gusht, në orën 00:00, çka do të thotë se data e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, thjesht mbetet një opsion në letër.

VERITAS.COM.AL/