8 zjarrfikës kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një magazinë në veri-lindje të Moskës, të enjten në mbrëmje. Më parë, ata ia kishin dalë të shpëtonin rreth 100 punëtorë të magazinës, teksa vetë mbetën të bllokuar në vendngjarje për shkak të shembjes së tavanit. Shkak për këtë zjarr mendohet të jetë pakujdesia dhe standardet minimale të sigurisë.
Forcat ruse të shpëtimit kanë gjetur trupat e 8 zjarrfikësve në mbetjet e një magazine e cila u përfshi nga zjarri të enjten në mbrëmje.
Viktimat besohet se ishin duke bërë një kërkim brenda ndërtesës, kur tavani i saj u shemb.
Më herët, zjarrfikësit ia kishin dalë të shpëtonin më shumë se 100 punonjës të magazinës ku mbaheshin materiale plastike dhe bombola gazi.
Një hetim po vazhdon në Golyanovo në veri-lindje të Moskës, atje ku ndodhej edhe magazina.
Paraprakisht, ka dyshime se zjarri është shkaktuar pas një shkeljeje të rregullave të sigurisë.
Sipas ministrit të emergjencave, zjarrfikësit shmangën shpërthimin e 30 cilindrave me gaz në magazinë, si dhe shkarkuan 67 kg amon nga një kompresor.
Zjarri i cili raportohet se përfshiu një zonë prej 4000 metra katrorë, u arrit të shuhej në orën 07:44 me orën lokale.
Dyshohet se radiatorët ishin lënë të hapur, gjë që shkaktoi mbi-nxehjen e qarkut elektrik të ndërtesës.
Ky është incidenti më i fundit vdekjeprurës në kryeqytetin rus, ku standardet e sigurisë janë minimale.
Në janar, 12 persona, midis tyre edhe 3 fëmijë, humbën jetën në zjarrin që përfshiu një fabrikë tekstile në lindje të qytetit.