Nga: Barbara Wesel, Dojçe Vele/
Samiti i BE për refugjatët nuk ishte një samit për shpëtimin e Angela Merkelit. Por ndërkohë ka një konsensus, që migrantët të mbahen larg BE-së, duke sakrifikuar ligjin dhe humanizmin, mendon Barbara Wesel.
A mundet kancelarja Angela Merkel pas samitit të migracionit t’i prezantojë partnerit të saj të koalicionit Horst Seehofer një zgjidhje, se do mund të kthehen në Itali refugjatët, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil? Jo. Nëse ajo do të arrijë diçka në këtë front, i duhet të gjejë zgjidhje bilaterale. Duke u nisur nga qëndrimi i vetedijshëm i qeverisë së re italiane në Romë kancelares vetëm mund t’i urojmë fat.
Disa kryeministra të BE-së pas bisedimeve në Bruksel deklaruan, se e gjitha kjo nuk ishte një veprimtari për shpëtimin e zonjës Merkel. Por ata me kënaqësi e pranuan këtë takim si një mundësi, për penguar një kthesë djathtas në politikën e migracionit.
Sigurim më i mirë i kufijve të jashtëm
Diskutimi për një sigurim më të mirë të kufijve të jashtëm ka kohë që është kthyer në standard në debatet për migracionin. Por ata pak kufij tokësorë të BE-së në Jug janë të siguruar mjaft mirë. Telat me gjemba mund të ngrihen edhe më lart dhe mund të vendosen edhe më shumë truproja kufitare. Vendeve anëtare mund t’u jepen më shumë para, në mënyrë që t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre. Komisioni i Bashkimit Evropian kërkon 10.000 policë kufiri, për të krijuar përshtypjen e një Evrope të mbrojtur mirë. Deri tani ka gjithnjë e më pak vullnetarë, të cilët duan të vënë në dispozicion personel dhe para.
Por në fakt fjala është për mbylljen e itinerarit detar nëpërmjet Mesdheut. Italia ka kërkuar edhe patrullime të tjera të anijeve të vendeve të tjera të BE-së, dhe ka parasysh me këtë para së gjithash vendin buzë Mesdheut, Francë. Dhe Presidenti Macron e mbështet qeverinë e Romës në parim në atë që refugjatët para së gjithash të mos nxirren nga uji para bregdetit të Libisë. Për këtë duhet të jetë kompetente roja e atjeshme bregdetare, e cila duhet të shpërblehet me më shumë pajisje dhe para.
Të drejtat dhe kujdesi flaken tej
Për rregullat e së drejtës detare dhe asaj ndërkombëtare nuk flet më askush. Edhe kancelari austriak Sebastian Kurz është mjaft entuziast për propozimin francez. Libinë sado të mundohesh e ke të vështirë ta quash “port të sigurt”, por për këtë aq u bën të gjithë të pranishmëve. Dhe paratë, të cilat i paguhen Libisë për gjoja furnizimin e refugjatëve janë një e ardhur e bukur shtesë për milicët rajonalë. Për rrethanat çnjerëzore në kampet libiane, me tortura, përdhunime dhe vrasje, BE nuk ndihet përgjegjës. E gjithë përgjigjja që të japin është përmendja turbullt e Organizatës për Refugjatët të OKB-së.
Plane të tjera për kampe ekstra-territoriale si për shembull në Shqipëri ose diku tjetër në Afrikën e Veriut aktualisht trajtohen ende në mënyrë diskrete. Këto do të ishin marrëveshje bilaterale, në rastin më të mirë multilaterale midis vendeve të veçanta, u tha. Por vullneti nuk mungon që për shembull azilkërkuesit e refuzuar të hiqen qafe në këtë mënyrë, kur nuk funksionin riatdhesimi i tyre.
Populistët diktojnë kursin
Presidenti i Francës shprehet në këtë kuadër vërtet për vlerat evropiane, por është i pari që është i gatshëm t’i shkelë ato bashkë me të tjerët. Qindra mijëra kanë ngecur aktualisht ende në Libi. Ofrimi i tyre brutalitetit të milicëve është antihumane dhe potencialisht e kundraligjshme. Këtu harrohen krejtësisht rruga e vuajtjeve dhe arsyet e arratisë së emigrantëve. Ata nuk janë më njerëz, janë vetëm të padëshiruar, të cilët ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini ka rastin t’i quajë “mish” ose “mall”, pa shkaktuar me këtë protestë në Evropë.
Populistët e rinj në Itali do ta marrin me vete pjesën që ka mbetur të BE në çështjen e migrimit. Macroni bashkohet me radhët e tyre, sepse nuk dëshiron t’u ofrojë sipërfaqe sulmi ekstremistëve të djathtë në vendin e tij. Bashkë me ta është edhe Austria populiste e djathtë dhe “Lega Süd” e re, me fjalë të tjera CSU-ja në Bavari. Frika nga ky bosht i populistëve është e madhe, sa shumica e shteteve të BE është e gatshme që t’i flakë tej të drejtat e njeriut për emigrantët dhe refugjatët. Dhe kancelares Merkel këtu i mbetet vetëm të bashkë-ulërijë me ujqit, po të dojë të shpëtojë lëkurën e saj.
Veritas.com.al/