Partia Socialiste Evropiane konfirmon se nuk dëshiron të ketë mes të ftuarve të tyre në Kongresin që do të mbahet në Berlin me 14 dh e 15 tetor, Ilir Metën në cilësinë e liderit të Partisë së Lirisë. Pas e-mailit të publikuar ekskluzivisht nga Report TV dhe përpjekjes për përgënjeshtrim nga ana e PL-së që akuzoi gazetarët tanë se shpërndajnë fake neës të fabrikuara nga kundërshtarët e tyre politikë, konfirmimi i vërtetësisë së lajmit dhe të dokumentit të e-mail nga ne vjen për Report TV nga Giacomo Filibek, zëvendespresident i PES.
Përmes një lidhje telefonike nga Praga, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit politik Evropian, Filibek konfirmoi për Report TV se e ka dërguar atë mail: “Nuk e kam idenë nëse adresat mail ishin të gabuara apo të sakta – sqaroi – por ju konfirmoj se Ilir Meta nuk është më i ftuar i dëshiruar në kongresin tonë si shkak i vendimit të tij për t’u bërë aleat me Sali Berishën”.
”Por Ilir Meta deklaron se nuk ka pasur asnjë qëllim për të marrë pjesë në kongresin tuaj”, e pyesim. “Kjo nuk është e saktë, e megjithatë nuk ka asnjë rëndësi – përgjigjet – në të shkuarën ai është ftuar gjithnjë si i mirëpritur, herën e fundit në Kongresin e Lisbonës në dhjetor 2018 dhe ai ka pasur gjithnjë interes të mbajë marrëdhënie të mira me ne. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe ai nuk është më i ftuar të marrë pjesë për shkak të pozicionit të tij të ri politik”.