Ballkanit të Hapur do t’i bashkohet shumë shpejt Mali i Zi, një prej 3 vendeve që ende nuk i janë bashkuar. Dritan Abazoviç ka njoftuar se do të jetë pjesë e takimit të ardhshëm të Ballkanit të Hapur që do të mbahet në Ohër.

“Nuk kam dëgjuar argument të vlefshëm se Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi. Unë do t’i përgjigjem ftesës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër. Do të jem në cilësinë e kryeministrit”, tha Abazoviç, në një intervistë  për B92.

Ai theksoi  se çdo iniciativë rajonale, e cila mund të përshpejtojë integrimin, është diçka që duhet pranuar.

“Nëse dikush ka një ide për të bërë një zëvendësim për integrimin evropian, ne nuk jemi të interesuar. Por realisht, nuk kam dëgjuar një argument të vlefshëm që thotë se Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi. Nëse nuk është mirë për një parti apo politikan, le ta thonë. Nuk kam dëgjuar një argument të vlefshëm nga shteti”, tha Abazoviç.

Disa ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ftuar sërish kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç që të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur.