Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ka nisur Kuvendi i thirrur nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ky i fundit është pritur me ovacione nga mbështetësit e tij dhe delegatët, të cilët i’u drejtuan sallës, pas verifikimeve.

Basha ka falënderuar të gjithë të ftuarit e pranishëm dhe parafolësit në Kuvendin Kombëtar.

Për të ky Kuvend është përcaktues për Shqipërinë e të nesërmes.

“Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, 31 vite, me suksese dhe dështime”, tha kryedemokrati.

Ai ravijëzoi se sot nuk janë mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, as kryetarit.

“Jemi mbledhur për të thënë të vërteta të cilat kemi kohë pa i shqiptuar”, u shpreh ai.

Ndërkohë, vetëm disa çaste më parë, ish-themeluesi i kësaj partie dhe ish-ministri i Bujqësisë në kohën e Berishës, Rexhep Uka, ka kujtuar kohën, kur Mihail Gorbaçov tentoi të bëjë një epokë të dytë në Rusi, por dështoi.

Ky ishte dhe një mesazh i qartë për ish-liderin Berisha.

Më herët, Kuvendi nisi me luajtjen e Himnit Kombëtar dhe fjalën e mori, Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së.

Ajo e cilësoi pjesëmarrjen e “jashtëzakonshme” dhe njoftoi përbërjen e strukturës së Komisionit të këtij Kuvendi, i cili do të drejtojë punimet.

Kryetar i tij do të jetë Jemin Gjana, ndërsa anëtarë janë deputetët Gazment Bardhi, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Flutura Açka.

(Kartonat e delegatëve të PD-së)

Rendi i ditës ka të bëjë me vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike.

Kjo duke mos lejuar që “problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Gjithashtu një pikë kyç është miratimi i aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci.

Në përfundim pritet miratimi i programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë jashtë Pallatit janë pozicionuar të gjithë mbështetësit e Bashës.

Ata mbajnë në duar një banderolë ku shkruhet se “zgjedhin të ardhmen”.

Ndër të tjera është bërë me dije se më 19 dhjetor do të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Më herët nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka bërë me dije se do të ngrihet një strukturë e re partnere e PD-së, Aleanca e Qytetarëve për Demokraci.

“Duhet të ndodhë një kapërcim cilësor, partitë do duhet që në kohë reale të shohë ndjeshmëritë e një shoqërie që është në zhvillim”, tha ai.