Dy dialekte dhe një gjuhë, dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë me destinacion Brukselin.

Kështu deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë fjalimit për media të mbajtur në Kosovë së bashku me homologen e tij, Vjosa Osmani.

Begaj theksoi se Brukseli duhet të mbajë premtimin e tyre për liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës , premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit”.

Ai shtoi se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur.

Po ashtu kreu i shtetit shqiptar ravijëzoi se Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO, aleanca garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë.

Presidenti e ka cilësuar aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës një vendim të duhur.

Në fjalën e tij në Prishtinë, presidenti rikujtoi edhe një herë qëndrimin e tij kundër raportit të Dick Marty-t për krerët e UÇK-së.

“UÇK-ja është një faqe e ndritur e historisë së përbashkët që bën krenar çdo shqiptar”.

Dialogu me Serbinë

Në deklaratën e parë të presidentit shqiptar në Kosovë nuk kishte si të mungonte edhe cekja e “dialogut me Serbinë”.

Begaj ka përshëndetur maturinë e shtetit të Kosovës në bashkëpunim me partnerët SHBA dhe BE.

“Vazhdimi i dialogut me Serbinë, e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”.

Begaj në fjalën e tij kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të vijojnë përpjekjet për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet ekonomike.

“Të jemi të gjithë bashkë, të ecim përpara me urtësi e maturi në mbrojtje të interesave tona, të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të paqes në rajon”, ishte mesazhi i tij përmbyllës.