Frrok Çupi/

Skeptikët do të bënin një lidhje mes ‘klimës së ftohte’ të qershorit në këtë vend Mesdhetar, me ‘ngrohjen globale’ që këto ditë mori një goditje të fortë me largimin e Amerikës prej Marrëveshjes Globale të Parisit. Kritizerët, jo vetëm skeptikët’ do të thonin: “E shikoni!, edhe në pikën e ‘klimës’ jemi ndryshe nga bota…”.

Këtu bën ftohte kur gjetkë bën ngrohtë!…

Jo, nuk është tamam kështu. Edhe në kombe të tjerë, madje edhe europianë, klima politike e zgjedhjeve  ka ardhur mjaft e ftohtë. Fqinjët tanë serb dhe maqedonas zgjodhën presidentin dhe qeverinë në mënyrë ‘skematike’. Skematike, domethënë ‘pa nerv, pa shpirt, pa shpresë’; por që duhej dikush në post. Francezët zgjodhën president nga një parti që nuk kishte ekzistuar më parë, madje një parti që edhe nga emri lidhej direkt me gjysmat e emrit të kandidatit (EnMarch). Në Gjermani po bëhen gati zgjedhjet e shtatorit- por edhe këto me ulje- ngritje temperature.

Nuk jemi krejt ndryshe nga klima politike rreth e rrotull. Por për të ftohtin e zgjedhjeve e kemi radhën ne në këtë moment.

Ndryshimi më i madh është se klimën politike as e ftohin dhe as e ngrohin fenomenet e natyrës, as lëshimi i gazit karbonik, as vrima e ozonit. Kjo që ndodh këtu ndodhet në dorën e njeriut; dhe mund të them se njeriu këtu ia arriti ta ftohtë klimën e zgjedhjeve:

Dëgjohen fjalime dhe sulme të egra në mitingje militantësh, por nuk ngrenë ‘as qimen’ e dëgjuesve. Tani njerëzit kanë përhapur mes tyre fjalë se kjo “është teatër”…  Bëhen akuza për ‘burgje’ por asnjë gardian nuk beson më. Flitet për “Republikë të Re” dhe tani më pak për “Rilindje”, por as mësueset e klasës së pestë nuk ua japin më si temë hartimi “të renë” dhe ‘të rilindurën’. Shkarkohen nga detyra funksionarë që kapen në fushatë politike, por kur kthehen në shtëpi banorët e pallatit i presin më me buzëqeshje. Flasin vetëm tre vetë, të tjerët janë hije, madje edhe kanioddatët. Flasin në mitingje ose ndahen mbrëmjeve në tre kanale televizive… Prapë ftohtë. Vetëm mediat e interesuara i rimarrin lajmet që prodhojnë vetë ose ‘shoqet’ dhe i bluajnë përsëri duke menduar se po prodhojnë lajm tjetër. Asgjë; edhe lajmet janë konsumuar si kashta e mbetur në grazhdet e gjësë së gjallë.

Nuk ka më as shenjën më të vogël të botës që na rrethon, askush nuk ka interes se ‘si po iu shkojnë punët?” me zgjedhjet. Një nga komisionerët më të lidhur me fushatën dhe restaurantet e Tiranës, Flenckenstein, para dy ditësh tha “I don’t care” (As më plas…) për zgjedhjet në Shqipëri. Vetëm këshilltarët e partive janë nga “bota e qytetëruar”; ata paguhen shtrenjtë për këshillat taktike mes tre vetëve ‘cili t’ia punojë tjetrit’. Edhe atje ku përpilohen taktikat bën ftohtë, sepse taktikat e luftës përpunohen ftohtësisht. Nuk mund të ketë ngrohtësi, sepse atje lart nuk ka emocion, as ka të vërteta në ato që përpilohen si parulla për popullin. A do të ndryshojë gjë?… Prapë njerëzit mes veti kanë adaptuar këngën e vjetër të udhëtarëve: “Selanik e tatëpjetë/ Siç ka qenë do të jetë”/

Klima është ndarë në dy shtresa: Shtresa lart ku ka Teatër; dhe në Teatër nuk ka implementim shpirtëror të rolit por vetëm maskë. Dhe shtresa poshtë që quhet popull, i cili nuk merr asnjë indikacion nga shtresa e lartë ku edhe aty bën ftohtë.

Fjala e përhapur, në ftohtësi edhe kjo, se rezultati i zgjedhjeve është paracaktuar,  e bën klimën ehde më të ftohtë. Jo për shkak të ‘shtresës së ozonit’ por për shkak të dy shtresave ‘të ftohta’ dhe të planifikuara. Njerëzit kanë perceptuar se dy partitë e mëdha do të ndajnë së bashku pushtetin pas zgjedhjeve… Atëherë po rrinë e presin atë ditë, pa asnjë nerv.

/Veritas.com.al/