Ndërkombëtarët duket se po rrëzojnë kupolën e lidhur me aferat PD-LSI në drejtësi.

Deri më tani kanë ngelur në veting 68 gjyqtarë dhe prokurorë, shumica e të cilëve kanë pasur lidhje me PD-LSI ose janë emëruar prej tyre. Një pjesë tjetër kanë mbyllur dosjet e korrupsionit për shumë funksionarë të PD-LSI.

Por çdo ditë që kalon, po tregohet qartë se ndërkombëtarët nuk po lejojnë asnjë emër që nuk është 100 për qind i pastër të mbijetojë.

Rasti më i bujshëm ishte ai i Xhezair Zaganjorit, i cili edhe pse i mbijetoi Shkallës së Parë, u fundos në Apel.

Ashtu ndodhi me Bashkim Dedjen, Gentian Osmanin dhe shumë emra të tjerë. Por dje organet e vetingut kanë fundosur një tjetër emër të njohur.

Bëhet fjalë për prokuroren e Krimeve të Rënda dhe kandidaten e SPAK, Manjola Kajana, e cila ka në dorë dosjen CEZ-DIA. Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin e saj në detyrë.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore”, thuhet në vendim. Komisioneri ka gjetur shumë parregullsi në pasuri, duke kërkuar që KPA të vendosë nëse duhet shkarkuar apo jo./ Agjencia e Lajmeve Sot/