Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi ka urdhëruar fillimin e një hetimi të plotë administrativ, për të sqaruar procesin e rekrutimit fiktiv të stafit të burgut të Shkodrës nga ku ka rezultuar se nëpërmjet   një   procesi   të  rremë   dhe   të   paligjshëm,  ish-drejtues   dhe   punonjës   të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë përfshirë në një skemë mashtrimi të qytetarëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se janë punësuar në IEVP Shkodër, që pritet të hapet në muajt në vijim, apo se ata janë në proces emërimi.

Ministria e Drejtësisë sqaron se nuk është kryer asnjë pranim apo punësim në IEVP Shkodër. Çdo premtim apo deklarim lidhur me këtë çështje është mashtrim për qëllime elektorale.

Sipas ministrit të drejtësisë urdhri me nr. 297/2  Prot. datë 24.05.2017, është  pjesë   e një skeme mashtrimi të qytetarëve, nuk është ligjërisht i vlefshëm dhe nuk rezulton të jetë protokolluar ndonjëherë rregullisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ai është   prodhuar   dhe   shfaqur  në   mediat  lokale  të   qytetit  të   Shkodrës,  për   të   krijuar perceptimin   e   rremë  se   qytetarët  po   punësohen,  duke   e   përdorur   këtë   proces   për qëllime të përfitimit të padrejtë politik në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ministria e Drejtësisë informon të gjithë personat që u është deklaruar se janë punësuar   në  IEVP  Shkodër,   se   janë   mashtruar  dhe   duhet   të   bashkëpunojnë  me organet e drejtësisë për vënien përpara përgjegjësi penale të personave përgjegjës të kësaj skeme mashtrimi.

Ministri   Bardhi ka urdhëruar Drejtorin e  Përgjithshëm të Burgjeve që  të bëjë menjëherë  kallëzimin penal të këtij rasti në organin e Prokurorisë dhe në Policinë e Shtetit, si dhe të pezullojë apo shkarkojë nga detyra të gjithë nëpunësit përgjegjës.

Ministri teknik pasi është njohur me deklarimet në media të Ardit Hotaj, me funksion politik, koordinator i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Malësinë e Madhe, si dhe me spotin televiziv të shfaqur në një media lokale, ku evidentohet roli i kandidatit për deputet Agron Çela në këtë proces, i ka kërkuar organit të Prokurorisë hetimin e tyre për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”,të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Për të njëjtën arsye, është referuar në prokurori  edhe   kandidati për   deputet z.  Dritan  Ylli,  i cili   në një  prononcim   në media,   ka  deklaruar se   punësimi   është  i   rregullt  dhe  fituesit  janë  shpallur   në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, fakt që është i pavërtetë.

Ministria e Drejtësisë thotë se Çela dhe Ylli nëpërmjet  veprimeve  apo   deklarimeve  të   tyre, dyshohen   se   kanë   luajtur   rol   në   krijimin   e   perceptimit   të   rremë   tek   qytetarët   për punësimin e tyre në IEVP Shkodër, në këmbim të mbështetjes për një forcë të caktuar politike.

Ministria e Drejtësisë sqaron se procesi i rekrutimit të stafit të IEVP Shkodër, do të nisë ligjërisht pasi të jenë përfunduar punimet në këtë institucion. Ky proces do të kryhet në përputhje të plotë me ligjin, dhe se do të ndiqet me vëmendje maksimale nga Ministri i Drejtësisë z. Bardhi, duke garantuar qytetarët se do të jetë një proces transparent dhe i bazuar vetëm në meritë. Asnjë forcë politike nuk mund të përdorë dhe nuk do mund të përdorë këtë veprimtari institucionale për qëllime politike.