Tre punonjës të Tatimeve të Tiranës janë vënë në pranga nga policia pasi akuzohen se kanë marrë një shumë prej 40 mijë lekë (të reja).

Denoncimi është bërë administratorja e një biznesi në Spille të Kavajës dhe më pas është organizuar operacioni i koduar “TND”.

Në pranga janë vënë:

-Ermal Harizaj, 37 vjeç,  lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë.

-Ervin Pupuleku, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.

-Arben Disha, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me detyrë inspektor i zbatimit të hetimit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tiranë.

Të tre këta punonjës kanë shkuar për kontroll, pranë një subjekti privat  në Spille Kavajë, me administratore shtetasen  A. M., duke shpërdoruar detyrën  i kanë marrë shumën prej 40 mijë lekë (të rinj).

Vijon puna për dokumentimin nëse ka raste të tjera të ngjashme të abuzimit me detyrën  ndaj bizneseve- njofton Policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 e 25 të Kodit Penal, për ndjekje dhe hetime të mëtejshme.

Veritas.com.al/