Emisari i Donald Trump-it për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, e ka shpërndarë në llogarinë e tij qëndrimin e sotëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit kundërshtohej vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në këtë reagim të Ambasadës thuhet se kundërshtojnë veprimin e fundit të Qeverisë në detyrë, të drejtuar nga Albin Kurti, për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

 

Siç thuhet në qëndrimin zyrtar, SHBA-ja ka qenë e qartë se Kosova duhet ta heqë taksën pa vendosur barriera të reja, sepse, sipas saj, politika të tilla lëndojnë popullin e Kosovës, raporton Express.

Për SHBA-në, masat e reciprocitetit krijojnë më shumë probleme, në një kohë kur po provohet të krijohen kushte për dialog të suksesshëm pas arritjes së tri marrëveshjeve, atyre për linjën ajrore, hekurudhore dhe autostradën.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në reagim.

Richard Grenell vazhdimisht ka kërkuar që taksa 100 % të hiqet pa ndonjë masë shtesë. Në ditën kur Albin Kurti kishte bërë publik vendimin e tij për të hequr taksën dhe për ta zëvëndësuar me reciprocitet, Grenell kishte thënë se kryeministri i Kosovës po bën një gabim serioz.

Mospajtimi për çështjen e taksës ka qenë edhe një prej arsyeve pse LDK-ja ka rrëzuar Kurtin në Kuvend me mocion mosbesimi që është përkrahur nga 82 deputetë të Kuvendit.