PD tashmë është me dy statute në Gjykatën e Tiranës! Grupi i Rithemelimit i Partisë Demokratike dhe juristët e tyre kanë depozituar në gjykatë për regjistrim statutin e ri, të cilin e miratoi në 11 dhjetor, në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Ky vendim vjen vetëm dy ditë, pasi Lulzim Basha depozitoi në gjykatë, po për regjistrim statutin e ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike në 17 korrik, megjithëse 5 muaj me vonesë.

Kuvendi i thirrur nga Berisha, miratoi me ngritje dore ndryshimet në Statut, duke e bërë të pamundur verifikimin e votës së 4934 delegatëve të pranishëm. Ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, më shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

PD-ja gjendet para një situate aspak të lehtë, me 2 statute. Një i bërë në Kuvendin e 17 korrikut dhe një i bërë së fundmi në Kuvendin e Berishës ne 11 dhjetor. Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës.