Frrok Çupi/

Në ç’sens?… A nuk është ‘buka’ fjala e parë e mëngjesit dhe fjala e fundit e mbrëmjes?… “Bukë!”, themi edhe kur flasim për drekën e për darkën… Të gjitha qeveritë që kanë ardhur e kanë shkuar, apo që  janë këtu…, nuk kanë qenë krejt ‘idiote’ siç i quajnë; të paktën intuita u ka punuar mbi kërkesat minore të popullit që qeverisin. Që në regjimin e diktaturës komuniste sigurimi i bukës ishte ‘fitorja më e madhe e popullit’…

Paralele e përditshme e ‘bukës’ na është bërë fjala ‘krim’. Kam frikë se duke e përdorur kaq shpesh, krimi na është bërë shtresë e butë. Se ndryshe nuk ka mundësi që ministri i qeverisë të zhgërryhet nëpër krim si në sixhade të Persisë dhe t’i duket çdo gjë butë- butë. Me siguri ai e di se populli jeton natë e ditë me krimin dhe  nuk i duket gjë kur bën krime… Ndryshe do të ndodhte si me ministrin e Punës në Uells. Ministri i Punës i Uellsit, Carl Sargeant, një javë më parë i dha fund jetës në një vetëvrasje…, pse? Se mbi të u hodhën dyshime për rimin ‘ngacmim seksual’, dhe ky i dha fund…

Jo, mor vëlla!, këtu secili ministër a zyrtar e shton gëzimin e jetës me anë të krimit; sa më shumë kriminel është tjetri, aq më krenar ndihet. Si tha ministri i Brendshëm që hetohet si anëtar i bandave kriminale? Tha: “Do të më shikoni mua çfarë do të bëj… se nuk ka zot që më ndërpret karrierën politike”…

Edhe në qytetarinë tonë krimi po bëhet si ‘buka’. Gjithë ditën themi ‘krim’ dhe në mbrëmje krimi ndodhet përsëri në tavolinë. Qeveritarët nuk mërziten pse iu thonë përditë ‘kriminelë’; përkundrazi, kështu iu duhet.

Këta kanë kuptuar fort lidhjen e popullit me krimin si me bukën…

Kjo është arsyeja e parë pse paralelizojnë ‘nevojën bazike’ me krimin.  Në librin e Hitlerit “Main Kampf” ai shkruan se ‘njerëzimi është i dobët dhe ka nevojë për bukë dhe autoritet”. E përkthyer në situatën tonë është ‘për bukë dhe krim’, sepse krimi ka zëvendësuar autoritetin diktatorial të hapët. Që nga diktatura komuniste kur konsiderohej ‘fitore’ buka e gojës, edhe sot e njëjta gjë është. Qeveria është vetlavdëruar se ‘askush nuk ka vdekur për bukë’. Me manovrat e veta shteti, dmth., qeveria, mburret para popullit përmes tribunave, mediave, mediave sociale se ‘po e heqim popullin nga duart e krimit”. Vetë parulla ‘e heqim popullin nga duart e krimit’, është një makabritet më vete. Qeveria e ka ulur kaq shumë ofertën ndaj popullit saqë i thotë: “po të heq nga duart e krimit”, “boll që të rrosh, kaq ke”. Nuk ka gjë më bazike në këtë jetë.

Kështu e kanë vënë njeriun ndër këmbë, te bazikja…

Edhe krimi e droga na dalin si nevoja bazike e popullit…

E shikoni çfarë ndodh? Ka më shumë se dy vjet që këta thonë se ‘do ta zhdukim drogën’ nga tokat e atdheut. Por në fakt shtohet përditë. Shtohet droga dhe kërcënohet siguria e vendit dhe e individit… Megjithatë psikoza që kanë krijuar është kjo: “Pa drogë nuk ke bukë!”. Sepse nuk ka punë, e hoqën njeriun nga mundësia dhe e drejta e punës. Edhe vendin e zhveshën nga prodhimi tjetër, veç drogës… Atëherë krimi i drogës bahet si ‘buka e gojës’. Në popull është krijuar iluzion se ‘me drogë sigurojmë bukën’, ndërsa në shtet është realitet se ‘me drogë blejnë skafe, bëhemi milionerë, mbajnë 863 mijë euro në makinë, sigurojnë pushtet të pakufishëm’.

Ky është raporti që krijohet pasi e çojnë  kërkesës te niveli zero, ose te krimi.

Krimi po bëhet ‘status quo’…

Të gjithë flasin për krimin, që nga diplomatët, hetuesit, deputetët, qeveritarët, kriminelët dhe lypsarët. Aq sa fjala ‘krim’ ka bërë vend në majë të gjuhës. Sikur nesër në mëngjes “Mesia’ të zbresë nga qielli e ta lajë vendin nga krimi, të parët që do të ankoheshin do të jenë vetë viktimat e krimit. Këta do të kërkojnë ‘krimin’ në të folmen e tyre të ditës, në ekranin e televizorit, në bisedën e kafes. Krimi është kthyer në ‘status quo’. Sundimtarëve iu intereson dominimi i krimit; ndërsa viktimave iu intereson të mos u dalë thika… Opozita është ose pjesë e sundimit, ose ka në palcë frikën e thikës; por nuk lëviz asnjë fije bari në klimën e krimit.

Ka mundësi që të vijë një moment kur të protestojmë të gjithë: “Eeej, mos na e hiqni krimin… nuk shikoni se pa të vdesim”.

Veritas.com.al/