Nga: L. Skiro/

Dita tani po mbaron; përgjatë të gjitha orëve kemi pritur që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të thotë një fjalë mbi aktin e kryer nga qeveria shqiptare kundër presidentit Donald  Trump dhe politikës zyrtare të Amerikës… Por akoma asgjë.

Qeveria shqiptare ka dërguar dje përfaqësuesin e vet diplomatik në Konferencën e Jashtëzakonshme të vendeve Islamike kundër vendimit të presidentit Trump mbi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Vendimi i presidentit të Amerikës ngjalli reagime të fuqishme në gjithë botën. Këtu u dalluan qartë vijat mes atyre që ‘besnikërisht’ janë vënë kundër politikës së Shteteve të Bashkuara- siç u instaluan vendet Islamike; dhe të tjerëve që mbështesin politikën e Amerikës.

Fatkeqësisht, Shqipëria mbajti anën e kundërt të politikës së presidentit Trump.

Konferenca e Jashtëzakonshme islamike u thërrit ‘për luftë’ kundër Amerikës; e iniciuar nga presidenti turk Erdogan. Në këtë konferencë ‘lufte’ u dërgua edhe ambasadori shqiptar në Ankara, si përfaqësues i Shqipërisë. Domethënë Shqipëria mori anë kundër Amerikës, në favor të vendeve Islamike kundërshtare të Amerikës…

Deri tani ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Lu, nuk ka folur akoma.

Edhe pse ai çdo ditë ndodhet si ‘i punësuar’ në televizione, sot ‘u zhduk’…

Ka këshilluar për kanabisin që “nuk ekziston”, ka këshilluar  se ‘zgjedhjet në Amerikë u hakeruan’, ka këshilluar si punon gruaja e tij në qendrën e votimit, ka këshilluar si të zgjidhet prokurori jashtë parimeve dhe paragrafëve kushtetuese…. Çfarë nuk ka këshilluar!?

Por nuk foli për çarjen mes Shqipërisë dhe vendit që ai përfaqëson, Shtetet e Bashkuara.

Askush, veç tij, nuk mund t’i dijë arsyet. Por pikëpyetjet që krijon me heshtjen e tij, zoti Lu helmon një klimë të thellë miqësie mes popullit shqiptar dhe Amerikës. Shqiptarët as në momentet e diktaturës dhe të mos- informacionit nuk u radhitën kurrë kundër Amerikës. Qëndrimi i fundit është për t’u alarmuar qytetaria jonë dhe diplomati amerikan.

A mund të mendojmë me frikë se ambasadori i SHBA është kundër presidentit të SHBA? Kjo do të na frikësonte akoma më shumë; edhe pse këtë fakt po e vërejmë përditë përmes provave.

Po të ishte kështu, atëherë zoti Lu, me dashje, i ka goditur fijet e lidhjeve mes popullit shqiptar dhe shtetit Amerikan.

Veritas.com.al/