Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, shkruan se sot, në samitin e NATO-s, ka kërkuar që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

“Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”.

I bazuar në bashkëpunimin praktik, qëllimi i Partneritetit për Paqe është që të rrisë stabilitetin, të zvogëlojë kërcënimet ndaj paqes dhe të ndërtojë marrëdhënie të sigurta dhe të fuqizuara, ndërmjet vendeve partnere individuale dhe NATO-s, si dhe ndërmjet vetë vendeve partnere.

Rama, më tej, shton se ka shpjeguar dallimet e pozicioneve në Ballkan në raport me Rusinë e me sanksionet ndaj saj, arsyet e këtyre dallimeve dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit e të nxitjes së bashkëpunimit rajonal.

Sipas tij, kjo bëhet duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s.

Në fjalën e tij gjatë samitit, numri një i Qeverisë shqiptare ka vlerësuar marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, “duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk”.

Për të, kjo marrëveshje mbetet një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh.

Nuk kishte si të mungonte edhe biseda me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkërisht me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, përmbyll Rama postimin e tij.