Gjendja në Shkup dhe rreth Parlamentit të Maqedonisë, sot paraqitet relativisht e qetë pas kaosit të një dite më parë. Megjithatë paqartësia e situatës politike ka ende mundësinë për më shumë dhunë.

Gjithçka nisi të enjten pasdite, kur deputetët e shumicës së re parlamentare, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca Shqiptare, zgjodhën kryetar të Kuvendit, Telat Xhaferrin.

Kjo solli kundërshtimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, që sidoqoftë ishte verbal. Por, nuk ishte i njëjtë reagimi i qindra protestuesve që gjendeshin jashtë Parlamentit, të cilët arritën të depërtonin brenda godinës dhe të merrnin kontrollin e saj, duke ushtruar dhunë mbi deputetë dhe gazetarë.

Fakti i zgjedhjes së një shqiptari në krye të Kuvendit të Maqedonisë duket se i ka rënduar më shumë se vetë procedura e zgjedhjes nacionalistëve maqedonas, që reaguan dhunshëm duke lënduar fizikisht mes të tjerëve edhe liderin e socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe atë të Lëvizjes për Reforma PDSH, Zijadin Sela.

15 deputetë mbetën të lënduar gjatë dhunës së cilës nuk i shpëtuan as agjentët e policisë.

/Veritas.com.al/