Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pozicioni i tanishëm i Shqipërisë është në mënyrë të padiskutueshme i njehsuar me atë të Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, sa i përket rrugës së përbashkët drejt integrimit evropian për Tiranën dhe Shkupin.

Sipas Ramës, ky është një pozicion konstruktiv, për të mos u ndarë nga Maqedonia e Veriut.

Por, në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë pranë BE-së, Oliver Varhelyi, ai e theksoi se ky pozicionim do të mbetet i tillë, të paktën deri në qershor.

Kjo, pasi bazuar në rezultatet e pyetësorit për Këshillimin Kombëtar, kanë nxjerrë në dritë faktin se shqiptarët duan ndarjen nga Shkupi nëse negociatat nuk hapen.

Këtë “durim” të Shqipërisë mbi hapjen e negociatave e ka vlerësuar edhe vetë Varhelyi, duke theksuar se nuk mungon shumë për të nisur bisedimet konkretisht.

Ndaj, ky i fundit u ka bërë thirrje të gjithë vendeve anëtare dhe aktorëve kryesorë politikë evropianë, që të veprojnë për të zgjidhur ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një element shumë me rëndësi, sipas Ramës, në këtë aspekt, është edhe fakti i një sinergjie të plotë të krijuar mes SHBA-ve dhe BE-së.

Kjo, pasi duke pasur politika të njehsuara, atëherë edhe lobimi amerikan për të çelur negociatat mes unionit dhe vendeve të Ballkanit bëhet më i fortë.

Mbi nismën e njohur si “Open Balkan”, Rama ishte i palëkundur mbi qëndrimin e tij të kahershëm.

Ballkani i Hapur si nismë do të vijojë, sipas tij, dhe është një derë e hapur për gjithkënd.

Mbi ata, të cilët nuk bashkohen ndërkaq, Rama ka vetëm një përgjigje: Kush vonohet, humbet më shumë!