Forcat ruse kanë kapur centralin bërthamor më të madh në Evropë. Centrali ra në duart e ushtrisë ruse, disa orë pasi një zjarr shpërtheu në uzinën e Zaporizhzhia pas një sulmi. Autoritetet e Kievit kanë bërë të ditur se termocentrali është i sigurt, teksa zjarri është shuar. Fuqitë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për këtë sulm, duke e konsideruar një akt “të tmerrshëm” dhe “të pamatur”.

Ofensiva ushtarake ruse në Ukrainë vazhdon e pandërprerë, me bombardime dhe qytete të rrethuara. Termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, ai i Zaporizhzhës ka rënë tashmë në duart e Rusisë. Termocentrali u bë kryeqendra e reagimeve botërore pas një zjarri që ra pranë tij, si pasojë e sulmeve të pandërprera të ushtrisë ruse që prej mesditës së të enjtes.

Ushtria ruse ndërpreu sulmin duke lejuar ndërhyrjen e zjarrfikësve, ndërkohë sipas raportimit të autoriteteve ukrainase niveli i rrezatimit është normal. Për këtë sulm ndaj termocentralit, pas një bisedime me Zelenskyn, kryeministri Britanik ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB. Presidenti Ukrainas është telefonuar edhe nga Biden, ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë se është në monitorim të situatës në Zaporizhzhë.