Në homazhe kanë marrë pjesë deputetë dhe ministra të mazhorancës.
Kryeministri së bashku me familjarët kanë vendosur karafila të kuq.
Në median e tij sociale disa çaste më parë Rama shkroi se vrasja barbare e katër protestuesve paqësorë kërkon drejtësi.
Kreu i Qeverisë është shprehur i bindur se drejtësia vonon por nuk harron.
“Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, ishte postimi i tij në median sociale Facebook.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.
Rihapja e dosjes
Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.