Frrok Çupi
Po të kërkoje vrasësit e katër Dëshmorëve të Demokracisë, sot duhej të ishe në Shkodër; ja, aty rreth vendit ku vendoseshin kurora dhe derdheshin lot…
U mblodhën rreth një obelisku që është ngritur në nderim të 4 djemve që ranë në një skenë proteste në 2 prill 1991, mes të cilëve edhe një nga djemtë më të mirë themelues të PD, Arben Broci. Obeliskun e vunë në mes dhe nisi ‘vajtimi’ i burrave e grave. Njësoj si në ritet e totemistëve kur mblidhen rreth totemit të tyre. Bota e sy- hapurve, prej shekujsh e ka zbuluar lidhjen mes njeriut dhe totemit të tij. Lidhja, edhe në këtë rast, është e ndërsjellët: Totemi me figurën e 4 dëshmorëve e frikëson ‘adhuruesin’ rreth tij dhe njeriu ia shpreh respektin me forma të ndryshme. (‘Code du totemisme’ -S. Reinachut- i përket shkallës kalimtare të njeriut nga primitivizmi për te shekulli i heronjve). Një nga format e respektit totemist, edhe në rastin e obeliskut të Shkodrës, është shtirja, fshehja e vrasësit, përdorimi i fytyrës së Ben Brocit… Qëllimi- për të vrarë disa të tjerë.
Po vallë totem i kujt është ky 2 prill i përgjakshëm?
1.
Presidenti i Republikës, totemin e do për vete. Ai, prej kaq kohe, ka bërë kërkime dhe ka piketuar nëpër Shqipëri se ku janë arenat e vrasjes së ‘kafshëve totem’; prandaj ka zbritur edhe në Shkodër, këtu ku janë vrarë katër luanë. Presidenti në këtë rast vë mbi kokë fytyrën e ‘luanit’, dmth., fytyrën e Ben Brocit me shokë, dhe thërret popullin për luftë, thërret që të shqyejnë njëri tjetrin. Prej kohësh presidenti po tenton të ndezë zjarrin e konfliktit e të luftës civile. Herë ka bërë thirrje duke mbajtur mbi kokë totemin e Avni Rustemit, herë të Mic Sokolit, herë të Salvador Alendes… Në Shkodër rrëmbeu eshtrat e katër dëshmorëve dhe lëshoi duhmën që ‘nga Shkodra të nisë marshimi…’.
2.
Të gjithë fajtorët e 2 prillit, ose të ngjashmit me ta, u mblodhën rreth obeliskut (në fakt rreth eshtrave). Në radhë të parë u vunë vrasësit. Përderisa PD, nga ku vinin 4 dëshmorët, nuk i gjeti kurrë, ata janë vetë ata. Në një gjyq të gjatë ku akuzohej si vrasës ministri komunist Ruçi doli se komunisti nuk ishte fajtor, por ishte një gjë tjetër: Totemi komunist do të hapte një fletë në sallën e gjyqit, do të thoshte një fjalë, dhe në atë sekondë do të binte piramida e palës tjetër! I akuzuari nuk ndodhej sot në Shkodër, mund të jetë biseduar që t’ua lërë vendin autorëve në vrasje.
3.
Figura e ‘kafshës’ së 2 prillit mund të jetë totem për kategorinë. (Se totemi i fiseve është një kafshë, ajo herë vritet e herë shpallet e shenjtë). Rreth vrasjes së 4 dëshmorëve janë lëshuar dhjetëra dëshmi, dhjetëra paralele e dhjetëra ‘vrasje kafshe’. Kategoria është kjo: Kush ka lidhje. Fijet e fajit janë shtrirë deri te njerëz të ‘farefisit’, të cilët edhe vetë sot janë ‘kafshë të vrara’. Ka një zinxhir të tërë: Kryetar i PD, doktor Ali Spahia, u shfaq shpejt në vendin e vrasjes së katër dëshmorëve, pastaj njoftoi se ‘ata nuk mbijetuan dot’ dhe iu drejtua gishti. Vetë ai iku nga jeta në mënyrë misterioze. Njësoj si ai ikën të tjerë që u dyshuan se ‘kanë vrarë totemin’. Në të njëjtën kategori hyjnë Hajdari, Çekini, Hoti, Zhulali, Gazidede… Fëmijët e tyre sot përkëdhelen si deputetë dhe ftohen rrotull obeliskut. Është kategoria që ia detyrojnë totemit prejardhjen e tyre.
4.
Ka lidhje me anëtarët e fisit. Anëtarët e fisit besojnë se përmes totemit sigurojnë përjetësinë. Fisi që ka deklaruar se vjen prej protestës së përgjakshme të 2 prillit, sot thotë se nuk ka vdekje tjetër. Për shembull këta thonë se as arma bakteriologjike nuk vret njerëz. Kanë dalë në fushë gjithë fisi dhe sfidojnë sëmundjen e shekullit, koronavirusin. Gjithë bota është në luftë për jetën, këta janë kundër jetës. Partia Demokratike është në rrugë duke kërkuar vdekjen e njerëzve militantë ose jo. Nuk mund të thuash se janë fis totemist, nuk mund të thuash se nuk e njohin botën moderne; por të paktën i përkasin fisit që predikon se ‘kafsha totem ruan dhe paralajmëron’ njerëzit që i përkasin fisit.
A mund të thuhet kjo?
Në fakt- jo!, këta edhe te 2 prilli shikojnë totemin si kurorë.
VERITAS.COM.AL