Për nesër, e shtunë e Pashkëve, qytetarë nga mbarë vendi kanë paralajmëruar një protestë në Rrugën e Kombit, në hyrje të tuneleve Kalimash- Kukës, për të kundërshtuar taksën e vendosur nga kryeministri Rama për kalimin në këtë rrugë, njofton ‘Hashtag.al’.

Vendosja e kësaj takse është kundërshtuar fort në të dy krahët e kufirit, si nga banorët ashtu edhe nga opozita në Shqipëri dhe klasa politike në Kosovë.

Rruga e Kombit është ndërtuar nga qeveria shqiptare me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në argumentet e shumta që jepen për kundërshtimin e kësaj takse janë fakti që ajo është pronë e shtetit dhe si e tillë nuk duhej dhënë me koncesion, fakti që kompania që e ka marrë me koncesion nuk është ajo që e ka ndërtuar, por tjetër si dhe dëmi i madh ekonomik që sjell vendosja e saj, nëse kihet parasysh përfitimi i madh ekonomik nga ardhja e turistëve nga Kosova si dhe nga shkëmbimi tregtar mes dy vendeve.

Në këtë protestë që zhvillohet nesër do marrin pjesë qytetarë të shumtë nga të dy anët e kufirit, biznesmenë e tregtarë si dhe drejtuesit dhe anëtarët e LSI-së, gjë të cilën e ka paralajmëruar kreu i grupit parlamentar, Vasili, në bashkëbisedimin me mediat ditën e sotme.

Një ditë pas miratimit të taksës për Rrugën e Kombit, rreth 150 biznesmenë nga Kosova zhvilluan një protestë kundër saj. Rreth 150 kamionë kanë hyrë pa mallra në Shqipëri dhe janë kthyer sërish bosh në Kosovë.

Veritas.com.al/