Sot është afati i fundit për regjistrimin e subjekteve politike pranë KQZ-së për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Deri më tani kanë dërguar kërkesën për regjistrim 34 parti politike. Nga partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë i kanë dorëzuar kërkesat e tyre dhe dokumentacionet përkatëse.
Tani pritet me interes regjistrimi i Partisë Demokratike. Do të jenë dy grupimet që do të dërgojnë kërkesën për tu regjistruar për garën e 14 Majit. Pastaj ngelet në dorë të KQZ se kë prej grupeve brenda PD-së do të njohë si forcën kryesore opozitare dhe më pas për të vijuar dhe me procedurat e tjera.
Nga selia blu raportohet se sot pritet që Enkelejd Alibeaj të depozitojë në KQZ kërkesën për regjistrimin e PD.
Deri më tani Alibeaj ka prezantuar rreth 13 kandidatë. Në vijim pritet të prezantojë dhe kandidatë të tjerë. Afati për kandidatët është deri më 26 Mars, ku pritet që të gjitha subjektet të depozitojë emrat për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë.
Kujtojmë që Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha mbrëmjen e djeshme pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar depozitoi kërkesën për t’u regjistruar për zgjedhjet lokale.
Në Këshillin Kombëtar u vendos që në zgjedhjet lokale të shkohet me koalicion. Sipas gazetarit, koalicioni më i mundshëm dhe më i arritshëm është ai me Partinë e Lirisë, por kjo do të përcaktohet nga Kryesia e Partisë Demokratike.
Ndërkohë PS ka kërkuar që të regjistrohet si forcë politike, e cila shkon pa asnjë koalicion në garën e 14 Majit.
Afati për regjistrimin e koalicioneve është 16 Marsi.