Greqia dhe Spanja janë nën presion në rritje nga aleatët e tyre në BE dhe NATO për të ofruar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën, raporton Financial Times .

Burime për prestigjozen britanike bënë me dije se gjatë një samiti në Bruksel javën e kaluar, disa liderë të BE-së i kërkuan kryeministrave spanjollë dhe grekë, Pedro Sánchez dhe Kyriakos Mitsotakis, që t’i jepnin disa nga sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore Kievit.

Kërkea ndaj Spanjës dhe Greqisë vjen në një momet kritik në frontin e luftës, ku Ukrainës i nevojiten predha artilerie, raketa të mbrojtjes ajrore dhe raketa me rreze të gjatë.

Forcat e armatosura të kombinuara të Spanjës dhe Greqisë zotërojnë më shumë se një duzinë sisteme Patriot, si dhe të tjerë si S-300, raportoi FT.

Ukraina mendohet të ketë vetëm dy sisteme anti-raketë Patriot, njërin prej të cilëve e përdor për të mbrojtur Kievin, ndërsa tjetri është vendosur më afër vijës së frontit, duke lënë në fakt pjesë të mëdha të vendit të ekspozuara.

Rusia ka rrëzuar disa termocentrale duke i vënë në shënjestër me raketa të shumta, duke shkaktuar mungesë të energjisë elektrike në disa pjesë të Ukrainës, duke përfshirë qytetin e dytë më të madh të vendit, Kharkiv, ku jetojnë 1.3 milionë banorë.