Pas aksidentit të autobusit në Bullgarinë Perëndimore, që mori jetën e 46 personave – mes tyre 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut – dhe 12 fëmijë, qeveria maqedonase vendosi që të shpallet tre ditë zie zyrtare.

Flamujt shtetërorë të RMV-së para godinës qeveritare janë ulur në gjysmë shtizë.

Për shkak të tragjedisë janë anuluar të gjitha aktivitetet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut si dhe të gjitha takimet e planifikuara.

Kuvendi ka ngrirë të gjitha zhvillimet, ndërsa subjektet politike kanë anuluar takimet e planifikuara për sot.

Ndërtimi i ngjarjes

Të paktën 46 persona kanë vdekur, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

“Ka patur një shpërthim”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ndodhet në Sofje, gjatë takimit që ka patur me një të mbijetuar ka treguar se ai kishte dëgjuar një shpërthim.

“Ai më tha se ka dëgjuar një shpërthim. Ai dhe gjashtë të mbijetuarit e tjerë kanë thyer dritaret e autobusit dhe kanë arritur të shpëtojnë. Viktimat e tragjedisë janë njerëz të moshave të reja nga 25-30 vjeç, ka dhe fëmijë. Tragjedia është e madhe”, është shprehur kryeminstri maqedonas në një intervistë për Bulgaria ON AIR.

Zaev gjendet në spitalin “Pirogov” ku është takuar me të mbijetuarit nga aksidenti që mori jetën e 46 personave – mes tyre 45 shqiptarë të RMV-së.

Numri një i qeverisë theksoi se nuk do të ketë një hetim paralel të autoriteteve maqedonase lidhur me ngjarjen.

“Iu besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse u duhet ndihmë, jemi të gatshëm të ndihmojmë në hetim. Tani më e rëndësishmja është të ndihmojmë të lënduarit’’, ravijëzoi në përmbyllje Zaev.

Reagimi i kryeministrit Zaev

Zaev, do të shprehte më herët në Twitter ngushëllimet e tij drejtuar familjeve të viktimave nga aksidenti tragjik i 23 nëntorit.

“I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve të qytetarëve të Maqedonisë të vrarë në aksidentin e autobusit që ndodhi mbrëmë në Bullgari”, shkruan fillimisht kryeministri maqedonas.

Zaev deklaroi se gjendet në Sofje, bashkë me ministrin maqedonas të Shëndetësisë, Venko Filipche dhe ministrin e Jashtëm maqedonas Bujar Osmani.