Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes VV në Kosovë, i prezumuar si kryeministër i ardhshëm,  ka zbardhur për mediat detaje nga takimi më shumë se 5 orësh me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ai tha se kishin shumë kohë pa u parë dhe se në takim ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim dhe më të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe kryeministrin.

“Kishte shumë kohë pa u parë diku rreth 14 muaj. Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si kryeministri i ri dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me kryeministrin e Shqipërisë. Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria dhe Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, e më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, deklaroi Kurti.

I pyetur nëse do i bashkohet të ashtuquajturit “Shengeni Ballkanik”, Kurti tha se duhet të shohë projektin në letër pasi për momentin është në nivel idesh.

“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse ai më ngjan më shumë me ide se sa projekte. Pra, dua ta shoh projektin në letër. Tani për tani është në nivel idesh’, tha Kurti.

Veritas.com.al/