Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka konfirmuar se janë në bisedime me aleatët e tjerë të vegjël për të formuar një grup të ri parlamentar.
Shehi tha se sot aleatët kanë zhvilluar takimin e parë, ndërsa shton se ky grup synon thjesht për të pasur më shumë hapësira për të folur.
Pjesë nga biseda:
Gazetari: Do krijohet një grup parlamentar me të tjerët?
Dashamir Shehi: Ne po mundohemi, ne partitë e vogla. Për çfarë? Për një hapësirë, asgjë më shumë.
Gazetari: Dmth, po flisni për të krijuar një grupim tjetër?
Dashamir Shehi: Gjithmonë ka pasur. Ja pse vlen. Nëse unë rri në grupin e PD-së, vendosem i 55-ti, a ku di unë kur bie radhë për të folur. Ndërkohë që kam drejtë të folur më shumë. Jo kur të më teket mua. Për të pasur më shumë hapësira. Për të kontribuar. Për të mos qenë të gjithë me një zë. Ne po mundohemi. Nuk ia kemi mbërritur deri më tani. Tani kemi pirë kafen e parë për herë të parë. Do kalojë java e parë dhe do gjejmë një rrugë të përbashkët. PD duhet të ketë një strategji tjetër. Që t’i përfshijë të gjitha forcat.
Gazetari:Kush do kishin qenë 7 njerëz që do kishit interes t’i ulnit?
Dashamir Shehi: Po nuk është se i krijojmë ne more, janë aty. Unë, Duka, Dulja.
Gazetari: E keni informuar kryesinë e PD?
Dashamir Shehi: Kur më thonë kështu më kujtohen ato muhabetet e vjetra. Politika është gjë publike. Unë jam këtu. Aty bëhen edhe gjëra poshtë tavoline. Unë me natyrën time po e them këtu, që opozitës shqiptare i vlen më shumë. Plus që do të krijonte precedent pozitiv. As më këtë grupin nuk do të bëhet çudia. Opozita do 5-6 muaj që të mësojë pse ka humbur.