Policia e Himarës në bashkëpunim me atë të Durrësit kanë bërë të mundur zbardhjen e një sërë vjedhjesh dhe shkatërrimin e një grupi kriminal që funksiononte në këto qytete.

Në kuadër të operacionit të koduar “Piketat”, nga Policia e Himarës është bërë i mundur arrestimi i dy personave përkatësisht 31 dhe 22 vjeç të dy banues në Durrës dhe është shpallur në kërkim një 33 vjeçar. Të tre shtetasit, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas policisë këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin grabitur 3 vila, në Dhërmi dhe në Golem, Kavajë. Ndër të tjera mësohet se ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.

Gjithashtu, dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare.

Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.

Në vijim të operacionit u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit A. H., në Golem, Kavajë, vjedhje e kryer dy ditë më parë, po nga pjesëtarët e këtij grupi, të cilët kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare në euro, paund, dollar dhe lekë.

Nga veprimet hetimore rezulton se ky grup, në të njëjtën periudhë të vitit 2022, ka kryer 3 vjedhje në banesash në fshatrat Dhërmi, Borsh dhe Himarë, ku ka marrë sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sendesh me vlerë, konkretisht:

– Në datën 11.08.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit V. B., në Himarë;

– Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur sende dhe vlera monetare në një hotel në pronësi të shtetasit D. Sh., në fshatin Borsh;

– Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur vlera monetare dhe sende me vlerë, në vilën e shtetasit K. N., në një kompleks banimi në fshatin Dhërmi.

Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të vilave dhe banesave të kryera nga ky grup dy vitet e fundit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.