Frrok Çupi
Alexei Navalny sot mbërriti në kishë ku do të prehet përjetë. Lideri i Opozitës ra në rrugë teksa luftonte kundër pushtetit të korruptuar në Moskë. Edhe ai, i admiruar botërisht, pjesën tjetër të rrugës do ta ketë më të vështirë se rrugën që bëri nga lindja deri në vrasje. Një Alexei tjetër, larg vetëm 2060 km. me avion që nga Moska, sapo e ka mbyllur rrugëtimin e ferrit, dhe tani pritet të nisë rrugën drejt të Drejtës.
Aleks Nika është Alexei Navalny, ose vice- versa.
Heronjtë që dalin në krye të lëvizjeve për liri, për të Drejtë, kundër korrupsionit dhe krimit shtetëror…, këta nuk kanë as diferenca në emër. Të dy mund të quheshin edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda ose Faik Myrtaj. Nuk kanë as diferenca ‘komb i madh apo komb i vogël’, nuk kanë as diferenca besimi, ngjyre, vendndodhjeje…
Ka ndodhur, bukur, që të dy djemtë e dy popujve që gjeografikisht jetojnë në Hemisferin Lindor, të dy të quhen me të njëjtin emër, Alex. Por ky është vetëm një element dekorimi.
Për t’u shënuar është rruga, e cila është thuajse e përbashkët.
Navalny (Alexei) si edhe Aleks Nika u përleshen me bishën shtetërore që u kishte shënjuar jetën miliona njerëzve, duke u vjedhur gjakun dhe djersën dhe pastaj duke vrarë njerëz që të mbrojë të vjedhurat. Ka qenë pikërisht kështu pak minuta para se Aleksi të qëllohej me armët e shtetit dhe me urdhër të kryesisë së shtetit, para zyrës së kryeministrit. Kryeministri dhe nën-kryeministri, një natë më parë kishin pirë verë në shtëpinë e njërit prej tyre, dhe dolën para gazetarëve me dhëmbë të kuq sikur kishin pirë gjak.
Këtë punën e gjakut, realisht, e bënë para selisë së qeverisë.
Pastaj dy shefat e shtetit ngrehën armët për të marrë më shumë pushtet me qëllim që të mbronin krimin. Të dy sulmuan Amerikën dhe Drejtësinë, me vetëdije se vetëm fuqitë e mëdha mund ta hapin derën ku paketohen krime të mëdha. Po të hapej dera për të drejtën e Aleksit, ruga do të shkonte drejt dhjetëra e qindra viktimave që kishin shkaktuar dy shefat në pushtet. Deri në ditën kur Gjykata e të Drejtave të Njeriut vendosi të hapet ajo derë mizore.
Sot është hapur dera e Aleksit, ndërsa është mbyllur dera e Navalnyt.
Këtu takohen sot të dy heronjtë tanë, njëri po vjen (Aleks Nika), tjetri po shkon (Alexei Navalny)
Zoti Navalny, që sapo mbërriti në kishë sot për funeralin e tij, padyshim që do të bëjë rrugën e Aleks Nikës. Ai, për një kohë, do të mbështillet me errësirë dhe me padrejtësi; nuk ka mundësi tjetër. Tani për tani shefi i pushtetit të korruptuar, Putin, është në front dhe do të fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Zgjimi i Navalnyt, edhe pas vdekjes, do të rrënonte piramidën e mallkuar të atij pushteti që mbahet me vrasje dhe korrupsion. Dera a Navalnyt do të mbahet me dry të rëndë për aq kohë sa shefi ka mundësi për pushtet. Tani ka nëpër duar jetën e 10 mijë civilëve Ukrainas dhe dhjetë herë më shumë ushtarë rus që i hodhi në ferrin e luftës. Peshën më të rëndë i vjen se ka Navalnyn.
Por atë ditë që bie pushteti i Putinit, atë ditë hapet edhe dera për Alexei Navalnyn. Këtu do të takohen përsëri dy ‘Aleks-ët’, të dy duke ardhur. Humbja e pushtetit të Putinit do të jetë njësoj si 21 Janari i Tiranës.
Gjithë bota ka ‘Aleks-ët’ e vet, shumë prej tyre në errësirën e të Padrejtës; por të gjithë bëjnë të njëjtën rrugë me popujt.