TIRANË– Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Pas marrjes së titullit në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Ahmeti mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, që ishin ftuar për të nderuar kontributin e tij për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

Ai tha se Shqipëria, ndonëse e varfër, ka treguar gjithmonë zemrën e ngrohtë për shqiptarët kudo që jetojnë.

“Dua t’ju falënderoj nga zemra, Kjo është Tirana e Adem Jasharit. Kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, kjo është Tiranë e Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit. Kjo nëna, Tirana, Shqipëria ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë, heronj të kombit, që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur. Unë dua t’ju falënderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falënderoni njëri tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm puna e mbarë të thuhet për të gjitha punët që bëhen. Mirëpo, Shqipëri ka ndarë bukë, kripë e zemër më ne. Kosova është shtet, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtet formues.”, tha ai.