Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, në një intervistë për Qendrën Evropiane të Studimeve mbi Sigurinë, George C. Marshall, është ndalur për të folur në një sërë çështjesh, që nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon e deri tek tre prioritetet e saj në krye të diplomacisë amerikane në Tiranë.

Sipas Kim, SHBA-të kanë qenë partnerë, të cilët e kanë mbështetur gjithmonë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ajo nuk është e shqetësuar mbi ndikime të mundshme nga Rusia dhe Kina.

(Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim)

“Shqipëria e ka shumë të qartë kush është miku dhe armiku. Rusia dhe Kina kanë shumë pak ndikim në Shqipëri. Ata e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre përket me Evropën dhe me partneritetin amerikan. Do të punojmë fort për këtë gjë”, shtjelloi ambasadorja.

Për këtë arsye, vendet janë bashkuar në partneritetin e Atlantikut të Veriut. Kjo për Kim është një vlerë më vete, pasi të gjithë kanë një rol të veçantë për të luajtur.

Tre prioritete

Ambasadorja amerikane ka përqasur gjatë intervistës së saj, edhe tre prioritetet gjatë qëndrimit në Tiranë.

Ato lidhen me demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

“Shteti ligjor, gjykatat e pastra, reforma në drejtësi. Këto janë aspekte themelore të një vendi”, theksoi Kim, duke iu referuar punës së bërë nga Shqipëria për të pastruar gjyqësorin.

Nga ana tjetër, sipas saj, edhe mbrojtja ka një rëndësi të madhe.

“Si anëtarë të NATO-s, na intereson një shtet që mban peshën e mbrojtjes dhe të aleancës”, nënvizoi ajo.

(Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim)

Ndërsa, mbi biznesin, ambasadorja e quajti të papranueshëm faktin se si një vend me pozicion të tillë gjeografik dhe strategjik, të renditet mes vendeve të varfra.

“Nuk ka kuptim. Është një vend shumë strategjik gjeografik. Mjafton thjesht të nxirret në pah potenciali i duhur dhe minimalisht, ky vend do të jetë mesatar”, tha ajo.

Një tjetër aspekt i kapur nga ambasadorja ishte edhe ai i dhunës ndaj grave.

Shqipëria, sipas Kim, është një vend me tablo të komplikuar. Nga njëra anë, radhitet një kabinet i jashtëzakonshëm qeveritar me 75% gra.

Nga ana tjetër, shifrat e dhunës në familje përbëjnë shqetësim të madh.

“Kjo është e jashtëzakonshme. Kabineti me shumicë grash, është shumë i kualifikuar. Ato janë efektive, jemi shumë të lumtur të punojmë së bashku. Nga ana tjetër, dhuna në familje është një problem shumë shqetësues. Do të punojmë fort mbi këtë gjë”, ravijëzoi Kim.

Defender 21

Një prej shtjellimeve të intervistës ishte edhe stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”, e cila e pa Shqipërinë si një ndër vendet kryesore mikpritëse, në stërvitjen ushtarake më të madhe në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit.

Mbi këtë premisë, Kim tregoi edhe rëndësinë e zhvillimit të saj.

“Është me shumë rëndësi të tregohet se jemi të aftë të operojmë së bashku. Kështu kundërshtarët mund të kuptojnë se ne jemi të bashkuar për të përballur çdo sfidë”, argumentoi ajo.

(Mbërritja e trupave amerikane gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 21)

Këto stërvitje sipas saj, kanë krijuar mundësi për të punuar së bashku dhe stërvitja, është lidhur me lëvizjen e trupave, pajisjeve, nga Evropa qendrore, drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike.

“Kështu kemi treguar si i lëvizin njerëzit drejt Ballkanit e më pas drejt Detit të Zi. Kjo tregon se NATO dhe partnerët janë tërësisht të përgjegjshëm ndaj çdo kërcënimi”, përmbylli Kim.  /Albanianpost.com