Atentati për prokurorin Arjan Ndoja dhe ‘Rrumin e Shijakut’, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku, duket se ka qenë i mirëorganizuar dhe pjesë e një ‘komploti’ edhe më të madh. 5 persona janë vënë në pranga sot, teksa 4 të tjetër janë shpallur në kërkim me urdhër SPAK, pjesa më e madhe prej tyre anëtarë të bandës së Durrësit. Emrat e tyre dolën nga një bashkëpunëtor i drejtësisë që dyshohet të jetë Nuredin Dumani, i cili zbuloi se anëtarët e bandës së Durrësit bashkëpunuan me 2 prej autorëve, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj duke siguruar kushte dhe mjete për atentatin.

Të arrestuar: Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku (40 vjeç) që i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka (38 vjeç), Endrit Sinani (29 vjeç), Julian Pjetri (45 vjeç) dhe Bashkim Haxhija (54 vjeç).

Të shpallur në kërkim: Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj që dyshohet se ndodhet në Dubai dhe Ramazan Rraja, i cili nuk ndodhej në shtëpi ditën e djeshme kur u ushtrua kontroll. Ata janë të tre jashtë vendit dhe po punohet me autoritetet e huaja për arrestimin e tyre. I katërti i shpallur në kërkim është identifikuar si A.SH. (alias D. Sh).

Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë ndaj prokurorit Arjan Ndoja “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e Andi Malokut dhe mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Laho, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja”, më shumë se një herë, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Çfarë u zbulua nga operacioni i SPAK 
Nga operacioni i koduar “Komploti” i SPAK në bashkëpunim me Forcat Operacionale, RENEA dhe FNSH u ushtruan kontrolle në 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë. Gjatë kontrolleve sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.

Hetimet e këtij procedimi penal janë drejtuar nga 2 prokurorët e çështjes dhe veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe administrimin e disa prej akteve nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës gjyqësore ndërkombëtare në fushën penale.

Atentati ndaj prokurorit Ndoja
Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i forti i Sukthit,   Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi). i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur. Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Nën akuzë për atentatin ndaj Ndojës janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.