Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur, se nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump do të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi. Albin Kurti premton koordinim me Thaçin për politikën e jashtme të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i ngarkuari i presidentit, Donald Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell e kanë intensifikuar angazhimin për rifillimin e dialogut Kosovë dhe Serbi të ndërprerë prej më shumë se një viti. Disa herë përmes twitter-it në fundjavën që shkoi, Richard Grenell i kërkoi palës kosovare që ta heqin tarifën ndaj mallrave serbe për t’i hapur rrugë dialogut. Një vlerësim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai lëvdon ndërmjetësin Grenell për angazhimin e tij, e shpërndau në twitter vetë presidenti amerikan, Donald Trump. Kjo e nxiti Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të deklarojë, se nën udhëheqjen e presidentit amerikan, ai është i bindur se do të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.

“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell, jam besimplotë, se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe shtetin e Kosovës”, shkroi të dielën në profilin e tij social, Hashim Thaçi. (dw)

VERITAS.COM.AL/