Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka humbur mandatin e deputetit. Me një shkresë drejtuar KQZ, Kuvendi njoftoi këtë të mërkurë përfundimin para afatit të mandatit të Arben Ahmetaj për shkak të mungesës së tij 6 mujore në seancat plenare.

“Seanca e fundit plenare, ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 korrik 2023” thuhet në shkresën e Kuvendit.

Por kush pritet të ulet në karrigen e deputetit në vend të tij në Kuvend?

Sipas përllogaritjes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, në listën shumëemërore të kandidatëve të Tiranës pas Arben Ahmetajt renditet Dallëndyshe Bici, e cila fitoi 4977 vota preferenciale.

Dallëndyshe Bici aktualisht mban postin e drejtueses së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Nëse Bici nuk do të pranojë të marrë madantin e deputetit rruga i hapet Plarent Ndrecës, i cili në zgjedhjet e 2021, siguroi 4008 vota.