Policia e Tiranës arrestoi dje në mbrëmje zyrtaren Alda Klosi, ish-shefen e kabinetit të Arben Ahmetaj, e cila doli në skemë pas arrestimit në 7 janar të pastrueses së shtëpisë. Pastruesja e shtëpisë Rozeta Dobi po bashkëpunon me drejtësinë, ku sipas dëshmive të saj, se dhe 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të shtëpisë së saj, i përkasin Alda Klosit.
Rozeta Dobi ka vendosur që të bashkëpunojë me drejtësisë, ku për herë të parë ka pranuar se edhe 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të shtëpisë së saj, i përkasin zyrtares Alda Klosi, ish shefe kabineti e ish-ministrit Arben Ahmetajt. Kjo dëshmi e saj, ka bërë që Policia e Tiranës t’i vërë pranga zyrtares Alda Klosi mbrëmjen e së premtes, ndaj së cilës rëndojnë 3 akuza, ajo e ”pastrimit të parave”, “mosdeklarimi i pasurisë” dhe deklarim i rremë para policisë”. Dëshmia e pastrueses, ka tjetërsuar të gjithë historinë që ishte raportuar deri më tani, ku nga grabitje siç u fol më herët, tani më bëhet fjalë për një inskenim të ngjarjes.
Rozeta Dobi ka treguar se ka bashkëpunuar me Alda Klosin duke e inskenuar si grabitje, pasi zyrtarja ka dashur që t’ia hidhte fajin ish-bashkëshortin, me të cilin pas ndarjes kishte pasur konflikte. Rozeta thotë se me Alda Klosin kishin një marrëdhënie shoqërore me njëra-tjetrën, që kishte filluar që nga koha kur ajo kishte nisur që të punonte në shtëpinë e saj. E pikërisht për shkak të kësaj marrëdhënie të mirë shoqërore, sipas Rozetës, Alda i ka thënë që të marre eurot nga kasaforta, t’i fshihte në shtëpinë e saj dhe të gjithën ta inskenonte si grabitje.
Sipas Rozeta Dobit, në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi vinin para me çanta gjatë gjithë kohës, por është shprehur se nuk e njeh personin që i sillte ato.
“Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shtetit. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha. I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve. Shpesh Alda lëvizte para, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për t’i sistemuar më vonë.
Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 mln lekë të vjetra. Shuma prej 25 700 eurosh që janë gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte”, ka deklaruar Rozeta Dobi.
3 akuzat që rëndojnë ndaj zyrtares Alda Klosi, rrezikon deri në 10 vite burg:
Alda Klosi akuzohet për 3 vepra penale, për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, thuhet në njoftimin e policisë.