Astrit Patozi në një intervistë për Top Story ka deklaruar se ai nuk ka hequr gara dhe do të vazhdojë të kërkojë respektimin e statutit:
“Unë vazhdoj të jem dhe do të mbetem kandidat i PD-së për aq kohë sa do të ketë garë. Unë jam kandidat por jo në farsë. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta futur në shinat statutore garën për kryetar”.
Duke e cilësuar vendimin që u mor nga kryesia e PD-së për fillimin e garës me dy kandidatura Lulzim Basha dhe Eduard Selami, si një “ferman të Sulltanit”, Patozi komentoi se: “Kjo që u gatua në kryesi është një farsë që unë se prisja se do të mbërrinte në këtë pikë. Kjo është humbja më e rëndë që PD ka pësuar në 2 vitet e jetës së saj, dhe për fat të keq një gjë kaq serioze por merr edhe përmasa groteske. Unë nuk e parashikoja këtë”.
Po pse Astrit Patozi nuk e zyrtarizon kandidaturën e tij ai shpjegon: “ E para nuk ka qenë në rregull që duhe të kishte një paraqitje kandidature por edhe sikur të kishte mua më mjafton paraqitja publike para 3 milionë shqiptarëve sëbashku me kushtet për të patur garë. Më kujtohet dikur Shkëlqim Meta që protestonte në PS se nuk i jepnin formularin për të garuar në PS. Ajo që mund të them sot është se sic është serioze gara në PD, është serioze edhe nisma ime që nuk është personale që vjen si vullnet i mijëra demokratëve dhe ne jemi të vendosur të mos e lëmë në mes.
Patozi madje ka zbuluar edhe një skenar pazari që sipas tij i është propozuar atij nga njerëzit e Bashës për të hequr dorë nga gara: “Basha nuk e jep dorëheqjen sepse kërkon të futet në një garë të të kontrolluar prej tij. Është e njëjtë me kërkesën tonë për largimin e Edi Ramës nga qeveria për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk kanë qenë të paktë njerëzit e Zotit Basha që më kanë propozuar që Zoti Basha është i prirur të ketë një marrëveshje dhe ti lëmë gjërat pas. Unë nuk jam future në këtë garë për qëllime personale. Zoti Basha bëri një Pazar dhe i lëshoi kërkesat e tij. E rëndësishme është që Zoti Basha e ka tentuar edhe këtë dhe unë nuk jam i gatshëm të çedoj nga kërkesat e mia si Basha bëri me Ramën”.
Veritas.com.al/