Ministrja e Austrisë për Evropën, Karoline Edtstadler i ka bërë apel Bashkimit Evropian dhe veçanërisht Francës, e cila merr presidencën e BE-së në 1 janar, që të kthejë sytë nga Ballkani Perëndimor.

Edtstadler thekson se BE duhet t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një sinjal të qartë politik për integrimin në BE.

Ajo vuri në dukje se nën qeverisjen e kancelarit Karl Nehammer fokusi i Austrisë do të jetë në politikën e emigracionit dhe zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

Teksa iu referua një vendimi unanim të marrë nga vendet e Bashkimit Evropian në mesin e dhjetorit, Edtstadler shprehet se ky vendim nuk duhet nënvlerësuar nga pikëpamja simbolike. Ministrja e Austrisë thekson gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një sinjal të qartë politik.

“Negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë në prag të nisjes së tyre. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një sinjal politik, se ne ndodhemi në planifikimin e të ardhmes së Bashkimit Evropian’, thekson ministrja Edtstadler.