-Pritej që sot, e hënë, të fliste për Referendumin, Meta ndryshon agjendën, pret Këshillin e Ambasadorëve në orën 17.00-
Një nga lajmet më të bujshëm politik të ditëve të fundit ka qenë propozimi i Presidentit Ilir Meta për ta çuar vendin në referendum në lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës. Në një kohë kur ai ka paralajmëruar këtë nismë se nga e hëna do të vinte me një plan konkret, Meta do të presë sot në një takim Këshillin e Ambasadorëve shqiptarë.
Takimi është parashikuar që të mbahet në orën 17:00. Të njëjtat burime sqarojnë se kreu i shtetit do të informojë këshillin e diplomatëve mbi zhvillimet e fundit dhe nismat e tij. Ndërkohë, në përmbyllje të takimit, Meta do të japë edhe një deklaratë për mediat.
Për tu përmendur është fakti se paralajmërimi i presidentit Ilir Meta për referendum popullor, jo vetëm që ka nxehur më tej debatin politik në vend, por ka zgjuar edhe kureshtjen e opinionit publik.
Kuadri ligjor për referendumet përcaktohet në nenin 150 të kushtetutës. Sipas saj referendumi mund të zhvillohet vetëm në dy raste. Kur kërkohet direkt nga populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ose rasti i dytë kur vendoset nga kuvendi me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Këto janë dy rastet kur Kushtetuta parashikon mbajtjen e referendumit. Dhe në asnjë prej tyre nuk i njihet rol iniciues presidentit të republikës. Sipas Kushtetutës, kompteneca e vetme që presidenti ka për referendumet është ajo e shpalljes së ligjit që miratohet përmes referendumit.
Veritas.com.al/