Babë e bir humbën jetën në Shkodër si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin. Pas 16 orësh kërkime është bërë e mundur gjetja e trupave të pajetë të Pjetër Rrushaj, 48 vjeç dhe djalit të tij Jason Rrushaj, 13 vjeç, mëngjesin e kësaj të hëne në Bogë.

Ato po udhëtonin me makinë gjatë kohës kur vendi u përfshi nga rrebeshe shiu dhe humbën kontaktet në vendin e quajtur “Grykë Lugje”. Rushaj ishte me vajzën dhe djalin e tij kur rrjedha e përroit mori përpara makinën e tyre. Vajza ka arritur të dalë nga makina dhe më pas është ndihmuar nga një banor i zonës.

Për kërkimin e tyre u angazhuan polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët bënë të mundur gjetjen e trupave të pajetë.

Nga mbrëmja e së shtunës vendi është përfshirë nga reshja të dendura shiu, ku situata më problematike është paraqitur në qarkun e Shkodrës, ku mbi 400 banesa janë nën ujë, ndërsa mësimi është pezulluar në 16 shkolla.